Një grua nga Teksasi, e cila po vizitonte Marylandin në SHBA, fitoi 37.951 dollarë në lotari, pasi një i panjohur e bindi të provonte për herë të parë lojën Racetrax.
Gruaja, e cila punon si infermiere, kishte udhëtuar në Baltimore në muajin shtator për të vizituar familjarët dhe miqtë.
Gjatë qëndrimit atje, një i panjohur e nxiti të provonte lojën virtuale të garave me kuaj.
“Ai më tha se kishte një parandjenjë të mirë dhe se duhej të luaja”, tregoi fituesja.
“Më dha numrat që duhej të luaja dhe më ndihmoi të plotësoja formularin.”
Gruaja vendosi një bast prej 50 centësh.
Fati i buzëqeshi në garën e gjashtë, kur kuajt përfunduan në renditjen e saktë që ajo kishte parashikuar.
Megjithatë, fituesja nuk e kuptoi se kishte fituar para se të kthehej në shtëpinë e saj në Teksas.
Një familjar e ndihmoi të kuptonte se kishte fituar plot 37.951 dollarë.
Fituesja bëri të ditur se paratë do t’i përdorë për të nisur një biznes të transportit me automjete.
