Nikolloski për fazën e re të Korridorit 8: Po i vendosim punët në shinat e duhura

Nga D. V.
525 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 6 gusht, Zhurnal.mk – Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, deklaroi sot se me realizimin e Koridorit 8 po dëshmohet se projektet strategjike mund të realizohen dhe se problemet e së kaluarës mund të tejkalohen.

Nikolloski e theksoi këtë para nënshkrimit të marrëveshjeve për financimin e ndërtimit të segmentit hekurudhor Kriva Pallankë – Deve Bair, pjesë e krahut lindor të Koridorit 8.

Ai nënvizoi se nënshkrimi i marrëveshjeve është vazhdimësi e vizionit të Qeverisë që Maqedonia të shfrytëzojë pozicionin e saj si nyje e koridoreve evropiane të transportit 8 dhe 10.

“Ndërtimi i Koridorit 8 është një nga prioritetet kryesore të Qeverisë. Ky është një ditë jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse pas gati dy vitesh punë arrijmë te një projekt real dhe i realizueshëm”, tha Nikolloski.

Ai informoi se është arritur marrëveshje me Bullgarinë për ndërtimin e një tuneli hekurudhor ndërkufitar që duhet të lidhë të dy shtetet.

“Presim që në fund të këtij muaji të mbahet takimi i dytë ndërqeveritar në Shkup, ndërsa të dy shtetet do të dërgojnë letër të përbashkët në BE, BEI dhe BERZH për sigurimin e mjeteve grant për ndërtimin e tunelit”, shtoi Nikolloski.

Për segmentin e tretë të hekurudhës së Koridorit 8, përmes Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor të Bashkimit Evropian, janë siguruar 149 milionë euro mjete grant.

Nikolloski njoftoi se gjatë këtij viti pritet fillimi i aktiviteteve ndërtimore, ndërsa në vjeshtë duhet të zgjidhet edhe kompania e ndërtimit.

“Ka tashmë tender aktiv për zgjedhjen e mbikëqyrjes, i cili zhvillohet në dy faza, ndërsa tenderi për ndërtim do të realizohet në një fazë”, informoi ministri i Transportit.

Në nënshkrimin e marrëveshjeve në Qeveri morën pjesë edhe kryeministri Hristijan Mickoski, ministrja e Financave Gordana Dimitrieska‑Koçoska, përfaqësues të BE‑së, BERZH‑it, BEI‑së dhe drejtori i Hekurudhave – Infrastrukturë, Sinisha Ivanovski.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër