Shkup, 11 qershor, Zhurnal.mk – Shkëmbimi i informacionit ndërmjet Administratave Doganore të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së, para se mallrat të mbërrijnë në vetë pikat kufitare, rrit besimin mes shteteve – çka është thelbësore për lehtësimin e tregtisë dhe rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomive tona, transmeton Zhurnal.
Përmes vendosjes së këtij koncepti, të ashtuquajturat “korridore të gjelbra”, ne tregojmë gatishmërinë tonë për anëtarësim në tregun unik të BE-së, veçanërisht në fushën e digjitalizimit, menaxhimit të rreziqeve dhe bashkëpunimit rajonal. Kështu u shpreh drejtori Boban Nikollovski në konferencën e tretë të nivelit të lartë të drejtorëve të përgjithshëm të Administratave Doganore nga Ballkani Perëndimor dhe vendet anëtare të BE-së, me temë: “Lidhja e tregjeve, harmonizimi i standardeve: Korridoret e gjelbra si shtyllë e integrimit të përforcuar në tregun unik të BE-së”, e cila po zhvillohet në Athinë.
Në margjinat e ngjarjes, Nikollovski së bashku me zëvendësdrejtorin e Sektorit të Doganave pranë Administratës për Tatim të tërthortë të Bosnjë-Hercegovinës, Boris Spasojeviq, nënshkruan një Memorandum për shkëmbim të të dhënave përmes sistemit SEED+.
Ai theksoi se e ardhmja është në integrimin digjital dhe ndërveprueshmërinë e sistemeve:
“Korridoret e gjelbra duhet gradualisht të mundësojnë njohje më të madhe reciproke të operatorëve të besueshëm dhe kontrolleve të kryera, të forcojnë rolin e operatorëve ekonomikë të autorizuar që do të kenë më shumë përgjegjësi dhe të kontribuojnë në uljen e mëtejshme të kohës së nevojshme për kontrollet doganore. Në të ardhmen, këtë koncept e shohim si një rrjet të përhershëm korridoreve prioritare mes Bashkimit Evropian dhe CEFTA-s, i cili do të jetë pjesë integrale e politikave rajonale të lidhjes dhe e procesit të integrimit evropian”, potencoi Nikollovski. /Zhurnal.mk
