“Nuk mund të ankohem pse jam në stol”, Arbër Zeneli reagon pas paraqitjes fenomenale ndaj Malmos

Nga D V
380 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Arbër Zeneli ka reaguar pas paraqitjes së shkëlqyer në fitoren e skuadrës së tij ndaj Malmos, ku kontribuoi me një gol dhe një asistim.

Ylli i Kosovës u la në stol dy sfidat paraprake, por e dëshmoi menjëherë kualitetin për të shpërthyer ndaj Malmos, ku shënoi supergol e asistoi në fitoren 1-2 të Elfsborg.

Zeneli pranoi se është normale që çdo futbollist të ndihet i zhgënjyer kur nuk luan, por theksoi se ka zgjedhur ta tregojë vlerën e tij në fushë dhe jo me ankesa.

“Të gjithë lojtarët nervozohen kur nuk luajnë, por jam profesionist në mënyrën time dhe provoj ta ndihmoj skuadrën kur vij. E kisha shansin dhe shpresoj t’i dëshmoj Bjorn Hambergut dhe të vazhdoj të luaj”, deklaroi Zeneli.

Ai u shpreh i lumtur edhe për vlerësimin që ka marrë nga trajneri, duke theksuar se përgjigjja më e mirë është performanca në fushë.

“Është mirë të marrësh komplimente nga ai. Kur ta kem shansin, nuk mund të qëndroj këtu dhe të ankohem pse jam në stol. E bëra këtë kur isha i ri. Jam në moshën që më duhet ta pranoj dhe, në fakt, provoj t’ia dëshmoj trajnerit të kundërtën”.

Zeneli zbuloi gjithashtu se ka pasur bisedime me trajnerin, por e respekton plotësisht vendimin e tij për formacionin.

“A kemi biseduar? Sigurisht që po. Por ndonjëherë nuk duhet të flasësh. Ai e zgjedh formacionin bazë që mendon se është më i miri dhe thjesht duhet ta pranosh. Nuk mund të sillem duke u ankuar dhe të shfaqem para ekipit se jam i zemëruar që nuk luaj”, përfundoi reprezentuesi i Kosovës.

Paraqitja me gol dhe asistim ndaj Malmos mund të jetë një pikë kthese për Zenelin, i cili shpreson të fitojë më shumë minuta në vazhdim të sezonit me paraqitjet e tij bindëse.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër