OBSH: Vetëm 11 raste nga hantavirusi në anijen turistike “Hondius”

Nga D. V.
718 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Madrit, 12 maj Zhurnal.mk – Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, deklaroi sot se deri tani janë identifikuar 11 raste pas shpërthimit të hantavirusit në bordin e anijes turistike “Hondius”, përfshirë tre viktima.

Tedros tha në Madrid se ”nëntë persona kanë rezultuar pozitivë me virusin, ndërsa dy raste të tjera konsiderohen si infeksione të mundshme”.

Ai shtoi se të gjithë personat e prekur janë izoluar dhe po monitorohen nga afër për të ulur rrezikun e transmetimit të mëtejshëm.

Sipas OBSH-së, mundësia e një përhapjeje më të gjerë ndërkombëtare mbetet e ulët, megjithëse Tedros paralajmëroi se raste të tjera mund të zbulohen në javët e ardhshme për shkak të periudhës së gjatë të inkubacionit të virusit.

“Secili nga vendet ku pasagjerët janë riatdhesuar është përgjegjës për monitorimin e shëndetit të tyre”, deklaroi ai gjatë konferencës për shtyp së bashku me kryeministrin spanjoll Pedro Sanchez.

OBSH rekomandon mbikëqyrje të rreptë, në shtëpi ose në ambiente të posaçme, deri më 21 qershor.

Agjencia e OKB-së për shëndetin ka publikuar udhëzime për menaxhimin e pasagjerëve të evakuuar, ndërsa autoritetet kombëtare mund t’i përshtatin ato sipas politikave të tyre.

Anija “Hondius” mbërriti të dielën në Ishujt Kanarie të Spanjës.

Pasagjerët u riatdhesuan me fluturime speciale dhe operacioni i evakuimit përfundoi dje në mbrëmje.

Anija, e operuar nga kompania holandeze ”Oceanwide Expeditions”, është nisur drejt Holandës vetëm me ekuipazh minimal.

Rreth 150 persona nga 23 vende ndodheshin në bord të anijes, e cila u nis nga Argjentina më 1 prill drejt ishujve të largët në Atlantikun Jugor.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër