Osmani: Kandidatura e Bekim Sejdiut i bën nder Kosovës, LDK-ja nuk bie në kurthet e askujt

Nga D V
713 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 1 shtator, Zhurnal.mk – Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur për kandidaturën e profesor doktor Bekim Sejdiut për president të Republikës së Kosovës, duke thënë se ai i plotëson kriteret e përcaktuara nga grupi parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Osmani tha se kandidatura e Sejdiut është në përputhje edhe me vendimin e Këshillit të LDK-së për t’i dhënë Kosovës institucione.

“Kandidatura e zotëri Sejdiut i bën nder gjithë Republikës së Kosovës. Jo vetëm që i plotëson të gjitha kriteret për të cilat ne patëm rënë dakord unanimisht në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar, jo vetëm që e respekton vendimin e fundit të Këshillit të Lidhjes Demokratike të Kosovës që ka kërkuar nga kryetari i LDK-së që të bëjë çmos që Kosovës t’i japë institucione. Por, në të njëjtën kohë, i jep Kosovës një mundësi që të vazhdohen punë të rëndësishme në mbrojtjen e demokracisë. Po flas në kontekst të presidencës, po flas edhe për institucione të tjera, pra që të mbrohet demokracia, të mbrohet Kushtetuta, të fuqizohen aleancat”, tha Osmani.

Ajo vlerësoi edhe përvojën e Sejdiut, duke thënë se ajo ka qenë e jashtëzakonshme dhe gjithmonë në interes të Republikës së Kosovës.

“Përvoja e profesor doktor Bekim Sejdiut në të gjitha këto fusha ka qenë e jashtëzakonshme dhe gjithmonë, pa asnjë përjashtim të vetëm, ka qenë në interes të Republikës së Kosovës. Ne kemi bërë një kompromis, natyrisht, si Lidhje Demokratike e Kosovës, duke vendosur gjithmonë interesin e Kosovës para çdo interes individual apo partiak”, tha presidentja.

Osmani theksoi se tashmë përgjegjësia është edhe e deputetëve të Kuvendit të Kosovës për t’i dhënë vendit institucione stabile.

“Dhe tani secili deputet i Kuvendit të Kosovës, jo vetëm ne që jemi të LDK-së, kemi një përgjegjësi historike që vendit t’i japim institucione stabile. Që Kosova ta ketë një presidencë e cila do të vazhdojë hapat e mbrojtjes së aleancave, përfshirë aleancën strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Do të mbrojë Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe parimet e demokracisë”, u shpreh Osmani.

Ajo tha se është e bindur se Sejdiu është kandidat që mund t’i përmbushë këto përgjegjësi.

“Jam e bindur që profesor Bekim Sejdiu është një kandidat që e bën pikërisht këtë dhe, siç e thashë, i bën nder Kosovës në qoftë se zgjidhet president”, deklaroi Osmani.

Presidentja tha se LDK-ja e ka propozuar Sejdiun duke e konsideruar kandidaturën e tij si kontribut për vendin.

“Ne si LDK e kemi propozuar dhe mendoj që kemi bërë shumë mirë.

Siç e thashë, ky është një kontribut për Kosovën, një kontribut nëpërmjet të cilit e vendosim interesin e vendit tonë para gjithçka tjetër”, tha Osmani.

E pyetur nëse Sejdiu do ta ketë mbështetjen e nevojshme parlamentare, Osmani tha se dëshiron të jetë optimiste.

“Po kam dëshirë që të jem optimiste, sepse nuk ka asnjë arsye që të refuzohet. Përkundrazi, ka shumë arsye që të përkrahet. Ne e kemi tash takimin e grupit parlamentar dhe do të shohim se si do të shkojë ai takim”, tha ajo.

Osmani u pyet nëse kishte pasur diskutime me Sejdiun lidhur me shkeljet kushtetuese që, sipas saj, i ka bërë qeveria. Ajo tha se, nëse Sejdiu zgjidhet president, ai do të mund të japë vetë përgjigjet dhe qëndrimet e tij për këto çështje.

“Kur të zgjidhet presidenti i ardhshëm i Republikës së Kosovës, jam e bindur që me shumë dëshirë do t’u përgjigjet në këto pyetjet tuaja. Unë i kam mbajtur qëndrimet e mia në lidhje me temat e ndryshme. Ka çështje me të cilat jam pajtuar në atë periudhë, ka çështje me të cilat fare nuk jam pajtuar dhe për këtë gjë ju e dini, sepse jeni të njoftuar”, tha Osmani.

Ajo sqaroi se Sejdiu gjatë mandatit të saj ka pasur rol si ekspert i jashtëm i presidencës.

“Profesor Sejdiu ka qenë thjesht një ekspert i jashtëm që na ka këshilluar si presidencë për një gamë të gjerë çështjesh. Për relacionet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që ka qenë një prej fushave kryesore ku ka kontribuar. Për çështje të tjera sa i përket integrimit euroatlantik. Për ballafaqimin me Serbinë – kjo ka qenë një prej punëve kryesore që i ka bërë”, deklaroi ish- presidentja.

Osmani tha se Sejdiu kishte ndihmuar presidencën në përgatitjen për përballjet me Serbinë.

“I ka ndihmuar presidencës gjithnjë që të përgatitet në ballafaqimet e shumta me Serbinë që i kemi pasur.Por edhe për çështje të shumta kushtetuese me të cilat jemi përballur gjatë mandatit tonë. Dhe ju i dini çfarë qëndrime i kemi mbajtur”, tha ajo.

Sipas Osmanit, në rast se zgjidhet president, Sejdiu do t’i ketë vlerësimet dhe qëndrimet e tij për çështjet e ndryshme.

“Mirëpo, si president i ardhshëm, pastaj unë jam e bindur që për secilën çështje ai do ta ketë vlerësimin e vet në radhë të parë dhe pastaj edhe qëndrimin publik aty ku është në interes të Kosovës që të dalë publikisht”, tha Osmani.

E pyetur për deklaratën e Armend Zemaj se kandidatura e Sejdiut është “një kurth i Albin Kurtit”, Osmani e hodhi poshtë këtë vlerësim.

“Jo, LDK-ja nuk bie në kurthet e kërkujt. Ne me krenarinë më të madhe e kemi propozuar profesor Bekim Sejdiun dhe të gjithë këtu brenda LDK-së e njohin, shumica dërmuese e njohin që një kohë shumë të gjatë. Një numër i madh i njerëzve që sot janë në grup parlamentar të LDK-së e njohin kontributin e tij që nga vitet ’90-ta, disa prej vitit 2007. Dhe emri i tij nuk është kurth, por është nder për Republikën e Kosovës”, tha Osmani.

Osmani u pyet edhe për procedurën që duhet ndjekur para se kandidatura të procedohet në Kuvend.

“Sepse kështu shkojnë procedurat. Gjithmonë kanë shkuar kështu brenda LDK-së: njëherë arrihet një dakordim në parim, sepse ne e dimë që pa pasur dakordim të grupit parlamentar nuk shkojmë në Kuvendin e Kosovës. Ne në grup parlamentar jemi pajtuar për të gjitha parimet, të cilat duhet, ose kriteret që duhet t’i plotësojë një kandidat”, tha ajo.

Ajo theksoi se për këtë çështje ka pasur vendim unanim brenda grupit parlamentar.

“Për këtë kemi pasur vendim unanim.Kemi pasur vendim unanim që të jetë kandidat jopartiak. Dhe tani që i plotëson të gjitha ato kritere dhe duke e ditur edhe kontributin që profesor Sejdiu e ka dhënë për shtetin e Republikës së Kosovës, unë jam e bindur që e meriton përkrahjen tonë”, deklaroi Osmani.

Osmani tha se LDK-ja nuk është e fokusuar te partitë e tjera, por te vendimi i saj për ta mbështetur Sejdiun.

“Nuk jemi në nevojë me menduar për parti të tjera. Ne mendojmë për përkrahjen që do t’ia japim si Lidhje Demokratike e Kosovës, sepse është në interesin e vendit tonë. Është po ashtu në interes të vendit tonë që të parandalohen zgjedhjet e reja nga të cilat nuk përfitojnë qytetarët. Dhe deri tani këto bllokada dhe ngërçe të njëpasnjëshme kanë krijuar dëme të shumta edhe përbrenda, por edhe në arenën ndërkombëtare për vendin tonë”, shtoi Osmani.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër