Osmani: Përpjekjet për barazimin e UÇK-së me agresorin dëmtojnë paqen

Nga B.M
460 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar se pavarësia e Kosovës ishte rezultat i vullnetit të popullit dhe i një sakrifice shekullore, duke kujtuar kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe viktimat e shumta gjatë luftës.

“Pavarësia e Kosovës ishte vullnet i popullit të Kosovës. Ishte sakrificë shekullore për të cilën dhanë jetën mijëra dëshmorë e civilë të pafajshëm e për të cilën luftuan, me heroizëm dhe me luftë të pastër, Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, ka deklaruar Osmani në një postim në Facebook.

Ajo ka theksuar se Serbia ka kryer krime të rënda kundër popullit të Kosovës, duke i cilësuar ato si gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

“Gjatë luftës së fundit në Kosovë, Serbia kishte për qëllim shfarosjen e popullit shqiptar, qëllim të cilin e shpërfaqi nëpërmjet vrasjes dhe masakrimit të mijërave fëmijëve, grave, burrave e të moshuarve, dhunimeve të mijëra grave e burrave, shkatërrimit të qindra mijëra shtëpive, dëbimit të mbi 80% të qytetarëve të Kosovës nga shtëpitë e tyre, spastrimit etnik, zhdukjes me dhunë të mijëra personave dhe krimeve të tjera të llahtarshme”, ka shkruar ajo.

Presidentja Osmani ka kritikuar përpjekjet për të barazuar luftën e UÇK-së me krimet e kryera nga Serbia, duke theksuar se këto përpjekje dëmtojnë drejtësinë dhe paqen afatgjatë.

“Çdo përpjekje që tenton të barazojë luftën çlirimtare të UÇK-së me krimet e agresorit gjenocidal serb e minon besimin në drejtësi dhe e dëmton rëndë paqen afatgjatë” ka theksuar ajo.

Në fund, Osmani ka ritheksuar kërkesën për drejtësi dhe rëndësinë e ruajtjes së së vërtetës historike.

“Kosova dhe qytetarët e saj kërkojnë drejtësi. Lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e pastër. Kjo e vërtetë nuk ndryshohet me tentime për ta rishkruar historinë dhe për ta njollosur dhe zhvleftësuar betejën e popullit të Kosovës për liri”, ka përfunduar ajo. 

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër