Pacolli: Gjykata heq masat kufizuese ndaj administrimit të VIA-s, synimi ynë është hapja sa më e shpejtë e aeroportit

Nga Xh M
1,248 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Vlorë, 6 korrik Zhurnal.mk – Ish-presidenti i Kosovës dhe pronari i kompanisë MABCO, Behgjet Pacolli ka njoftuar se Gjykata e Tiranës ka marr vendim për heqjen e masës kufizuese përsa i përket administrimit të shoqërisë VIA.

Në një postim publik, Pacolli e cilëson vendimin si një tjetër fitore të drejtësisë, duke theksuar se gjykata ka zëvendësuar masën e sigurimit të datës 5 qershor 2026 dhe ka hequr çdo kufizim për administrimin e shoqërisë nga ortaku mazhoritar.

Sipas tij, gjykata është mbështetur edhe në arsyetimin e mëparshëm të Gjykatës së Lartë, e cila kishte rikthyer të drejtën e ortakut mazhoritar, MABCO, për të administruar shoqërinë dhe për të ushtruar të drejtat që burojnë nga kuota e saj.

Pacolli pretendon se masat e mëparshme të sigurimit, të vendosura ndaj MABCO-s, kanë qenë të paligjshme dhe kanë penguar zhvillimin e projektit, duke përfshirë edhe bllokimin e hyrjeve në aeroport për disa muaj. Ai shton se kjo situatë ka dëmtuar punën e nënkontraktorëve dhe ka vonuar përfundimin e punimeve.

Në reagimin e tij, Pacolli shpreh mirënjohje për Gjykatën e Tiranës dhe për ekipin ligjor “Halimi & Ahmetaj”, ndërsa u bën thirrje institucioneve publike, përfshirë Ministrinë, Avokaturën e Shtetit dhe Policinë, të zbatojnë vendimet e gjykatave dhe të garantojnë aksesin e MABCO-s, punonjësve dhe nënkontraktorëve në kantier.

“Ne duam të angazhohemi sa më parë për të hapur aeroportin, për të mirën e Shqipërisë dhe të shqiptarëve”, shkruan Pacolli, duke theksuar se objektivi i kompanisë mbetet përfundimi i projektit me interes publik./Arbresh.info

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër