Tiranë, 10 shtator, Zhurnal.mk – Bllokimi i pagave për magjistratët dhe administratën e gjykatave ka përfunduar në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Magjistratët kanë kallëzuar në SPAK ministrin e Financave, Petrit Malaj, Sekretarin e Përgjithshëm të kësaj ministrie, si dhe drejtuesit e degëve të Thesarit në rrethe.
Kallëzimin e kanë firmosur 18 gjykata në të gjithë vendin, së bashku me dy shoqatat përkatëse të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Gjyqtarët pretendojnëse ngërçi nisi pasi Kuvendi nuk miratoi brenda afatit të 31 korrikut formulën e re për pagat e magjistratëve, siç kishte përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
KLGJ dhe KLP vendosën të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese duke rritur pagën referuese të magjistratëve. Ata argumentuan se vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte i detyrueshëm dhe përcaktuan rritjen me pagë bazë referuese prej 222 mijë lekësh dhe 14 mijë lekë për shtesën e kualifikimit.
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka theksuar se situata e krijuar duhet të marrë zgjidhje përfundimtare përmes plotësimit të boshllëkut ligjor në Kuvend dhe se projektligji pritet të diskutohet me 17 shtator.
Gogu ka sqaruar se problemi i krijuar lidhet me mungesën e bazës ligjore për formulën e pagës së magjistratëve pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
