Pagesat publike dhe shkëmbimi i të dhënave/ Bankat, AKSHI dhe Ministria e Ekonomisë me plan të ri për shërbimet dixhitale

Nga Xh M
567 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 3 qershor Zhurnal.mk – Qytetarët mund të përballen me më pak procedura dhe dokumente gjatë marrjes së shërbimeve bankare dhe publike, falë një plani që synon shkëmbimin më të madh të të dhënave mes bankave dhe institucioneve shtetërore.

Kjo ishte një nga temat kryesore të workshop-it “Digjitalizimi, Shërbimet Publike dhe Bankat Tregtare”, organizuar nga Shoqata Shqiptare e Bankave, me pjesëmarrjen e ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, drejtorit të përgjithshëm të AKSHI-t, Igli Tafa, si dhe përfaqësuesve të sektorit bankar.

Ibrahimaj prezantoi objektivin për krijimin e një modeli të unifikuar ndërveprimi, ku bankat të mund të aksesojnë të dhënat shtetërore përmes një mekanizmi të centralizuar, pa qenë e nevojshme lidhja e marrëveshjeve të veçanta me çdo institucion. Sipas saj, kjo do të përshpejtonte ofrimin e shërbimeve dhe do të reduktonte procedurat administrative për qytetarët.

Një tjetër çështje e diskutuar ishte kalimi gradual drejt modelit “vetëm një herë”, sipas të cilit qytetarët nuk do të kenë nevojë të dorëzojnë të njëjtin dokument në institucione të ndryshme.

Në këtë kuadër, u diskutua mundësia që bankat të kenë qasje në dokumentet elektronike të gjeneruara nga institucionet shtetërore, duke i marrë ato automatikisht nga regjistrat përkatës, me pëlqimin e klientit dhe në përputhje me kuadrin ligjor.

Për qytetarët, këto zhvillime do të përkthehen në procedura më të shpejta, më të thjeshta dhe me më pak dokumentacion, si në marrjen e shërbimeve publike, ashtu edhe në përdorimin e shërbimeve bankare.

Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave, Spiro Brumbulli, tha se bankat tashmë ofrojnë pagesën e një numri të konsiderueshëm shërbimesh publike dhe po punojnë për zgjerimin e mëtejshëm të tyre, me synimin për t’u ofruar qytetarëve një eksperiencë më të thjeshtë dhe më efikase.

Nga ana tjetër, drejtori i AKSHI-t, Igli Tafa, theksoi rëndësinë e zgjerimit të modelit të e-Albania edhe në proceset bankare, duke krijuar flukse të integruara që shmangin lëvizjen e qytetarëve mes institucioneve dhe sistemeve të ndryshme.

Përfaqësuesit e sektorit bankar theksuan se ndajnë të njëjtin vizion për transformimin digjital të shërbimeve dhe se bankat kanë investuar, por edhe do të vijojnë të investojnë në infrastrukturën dhe teknologjitë e nevojshme për këtë proces. Sipas tyre, mbetet e rëndësishme reduktimi i procedurave manuale, rritja e ndërveprimit me regjistrat shtetërorë dhe informimi më i mirë i qytetarëve për shërbimet që ofrohen përmes kanaleve digjitale.

Gjatë workshop-it u diskutua gjithashtu zgjerimi i përdorimit të pagesave elektronike për shërbimet publike, përfshirë pagesat e menjëhershme (instant payments), si dhe përdorimi më i gjerë i instrumenteve elektronike të pagesës në administratën publike. Pjesëmarrësit ranë dakord të vijojnë punën në nivel teknik për të adresuar çështjet që lidhen me kostot e transaksioneve dhe mënyrën e ofrimit të këtyre shërbimeve.

Për të çuar përpara këto nisma, Shoqata Shqiptare e Bankave do të ngrejë një grup të posaçëm pune në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit, AKSHI-n dhe institucionet e tjera të përfshira, me synimin për të hartuar propozime konkrete dhe afate për zbatimin e tyre.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër