Koleksioni i artit të EVN nga Austria shënon 30-vjetorin me ekspozitë autentike në Shkup

Nga R.ZH
746 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 03.06.2026 – Me rastin e shënimit të jubileut 30-vjeçar të koleksionit të EVN, solemnisht u hap ekspozita autentike “Tapete”, e cila bashkon vepra nga koleksionet e pasura të EVN Austri dhe të Muzeut të Artit Bashkëkohor në Shkup. Ekspozita përfshin 70 vepra të përzgjedhura nga artistë të njohur ndërkombëtarë dhe artistë të shquar maqedonas, duke pasqyruar partneritetin afatgjatë ndërmjet Maqedonisë dhe Austrisë. Ajo do të jetë e hapur për publikun deri më datë 15 korrik.

Koleksioni i EVN-së është një koleksion i rëndësishëm korporativ i artit, me fokus në artin bashkëkohor ndërkombëtar. Ai ekziston që nga viti 1995 dhe krijon një dialog ndërmjet shprehjeve dhe perspektivave të ndryshme artistike, duke pasqyruar përkushtimin e Grupacionit EVN për mbështetjen e kulturës dhe krijimtarisë.

Në ceremoninë e hapjes, përveç menaxhmentit të EVN Maqedoni, morën pjesë edhe Kryetari i Bordit Drejtues të EVN Austri, z. Shtefan Shishkovic, ministri i Kulturës dhe Turizmit, z. Zoran Ljutkov, Ambasadori i Republikës së Austrisë në Maqedoni, Sh.T. Martin Pamer, përfaqësues të institucioneve, të komunitetit kulturor, partnerë biznesi dhe mysafirë të shumtë.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari i Bordit Drejtues të EVN Maqedoni, z. Vollfgang Maier, theksoi se ekspozita lidh në mënyrë simbolike dy jubile të rëndësishme – 30-vjetorin e Koleksionit të EVN dhe 20-vjetorin e pranisë së EVN në tregun maqedonas. “Në shikim të parë, energjia dhe arti i përkasin dy botëve të ndryshme. Njëra vë në lëvizje jetën e përditshme, ndërsa tjetra frymëzon ide dhe emocione. Megjithatë, të dyja kanë fuqinë të lidhin njerëzit dhe të krijojnë vlera të qëndrueshme. Jemi krenarë që një pjesë të Koleksionit të EVN kemi arritur ta afrojmë pranë publikut maqedonas dhe të kontribuojmë në shkëmbimin kulturor ndërmjet dy vendeve mike”, theksoi ai.

Ministri i Kulturës dhe Turizmit, z. Zoran Ljutkov, shprehu mirënjohje të veçantë për të gjitha institucionet dhe individët që kontribuan në realizimin e këtij projekti të rëndësishëm kulturor. Ai theksoi se kjo ekspozitë është shumë më tepër sesa një prezantim i veprave artistike – ajo është simbol i miqësisë së gjatë, bashkëpunimit dhe vlerave të përbashkëta që lidhin Maqedoninë dhe Austrinë.

Si kompani me përgjegjësi shoqërore, EVN Maqedoni e konsideron kulturën si një shtyllë të rëndësishme të zhvillimit shoqëror dhe një mjet të fuqishëm për forcimin e lidhjeve ndërmjet njerëzve dhe popujve. Përmes mbështetjes së saj afatgjatë ndaj iniciativave kulturore, kompania mbetet e përkushtuar në krijimin e vlerave jo vetëm në sektorin energjetik, por edhe në komunitetet ku vepron.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër