Pakënaqësia në vendet e Gjirit Persik rritet

Nga Xh M
371 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Intensiteti i sulmeve është ulur ndjeshëm, Irani nuk po lëshon më qindra raketa dhe dronë në ditë drejt shteteve arabe të Gjirit – si në fillimin e luftës. Megjithatë raketat e hedhura mund të jenë ende vdekjeprurëse. Të enjten, autoritetet në Emiratet e Bashkuara Arabe raportuan se dy persona u vranë nga copat pas lëshimit të një rakete iraniane. Viktimat ishin nga India dhe Pakistani. Ata ishin punëtorë migrantë, si shumica e 25 personave të vrarë në shtetet arabe të Gjirit Persik deri më tani në muajin e parë të luftës.

Shtetet e Gjirit: Terrorizëm ekonomik

Katari ka dëbuar diplomatë iranianë dhe përfaqësuesit e Emirateve të Bashkuara Arabe tani i përshkruajnë kërcënimet e Iranit për të bombarduar cisternat e naftës dhe anijet e tjera në Ngushticën e Hormuzit si terrorizëm ekonomik.

Lana Nusseibeh, Ministre Shteti në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, theksoi në një intervistë televizive rëndësinë e Ngushticës së Hormuzit për ekonominë globale: Jo vetëm që një e pesta e dërgesave të naftës dhe gazit në botë kalojnë zakonisht nëpër Ngushticën e Hormuzit, por edhe 30 përqind e plehrave të përdorura në bujqësinë globale. “Në thelb, Irani po përpiqet t’i shkaktojë ekonomisë globale atak në zemër. Ne nuk mund ta lejojmë Iranin, një organizatë terroriste e sponsorizuar nga shteti, të diktojë çmimet e tregut botëror për ushqim dhe benzinë.”

Do të përfshihen më aktivisht shtetet e Gjirit në luftë?

Retorika më e ashpër kohët e fundit ka ardhur kryesisht nga Emiratet dhe Arabia Saudite. Në deklarata me shkrim, ato theksojnë se rezervojnë të drejtën për t’iu përgjigjur sulmeve iraniane me të gjitha “masat e nevojshme”. Nëse kjo mund të përfshijë vetë shtetet arabe të Gjirit që të ndërhyjnë në mënyrë aktive në luftë, është një çështje shumë e spekuluar. Eksperti i energjisë Bachar Halabi thotë se për momentin, kjo është thjesht retorikë; shtetet e Gjirit Persik kryesisht ende po përpiqen të mbrojnë veten. “Por duke pasur parasysh sulmet iraniane ndaj infrastrukturës energjetike që është jetike për këto vende, qëndrimet strategjike në kryeqytetet e tyre mund të ndryshojnë vërtet.”

Kohët e fundit është raportuar, veçanërisht në gazetat amerikane, se sundimtarët në Arabinë Saudite po i bëjnë thirrje administratës Trump që të mos heqë dorë nga sulmet ajrore kundër Iranit, në mënyrë që udhëheqja në Teheran të mos e perceptojë këtë luftë si të fituar.

Katari mbështet një zgjidhje paqësore të konfliktit

Deklaratat zyrtare nga udhëheqja saudite tingëllojnë shumë më të rezervuara. Kurse në Katar, Ministria e Jashtme thekson vazhdimisht domosdoshmërinë e përfundimit të këtij konflikti me mjete paqësore: “Shfarosja totale nuk është opcion. Asnjë popull dhe asnjë vend nuk do të zhduket me vullnetin e asnjë aktori politik”, tha Majid al-Ansari, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, në konferencën e tij javore për shtyp në Doha. Por edhe pas një muaji, ka pak shenja për një përfundim të shpejtë të luftës./DW

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër