Shkup, 10 mars – Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, në Shtëpinë e Evropës në Shkup sot në mesditë do të mbahet panel diskutimi me titull “(Fe) male Effect: Her Story, Her Path, Her Power“.
Forumi do të hapet nga Mihais Rokas, ambasadori i BE-së në Maqedoninë e Veriut, ndërsa folës do të jenë Kristina Vasilatou, zëvendës shefe e misionit në Ambasadën e Greqisë në Shkup, profesoresha në Fakultetin Filologjik “Bllazhe Koneski” dr. Maja Bojaxhieva, Dragana Stikova bashkëthemeluese dhe drejtoreshë e fondacionit “Kantarot” dhe menaxhere e platformës “Shkenca për fëmijë” dhe Margarita Arsova producent kulturor dhe menaxhere projekti në Qendrën Kulturore Rinore (QKR).
“Aktiviteti do të hapë tema të rëndësishme për sfidat me të cilat përballen gratë që ia kanë kushtuar jetën profesionale arsimit, shkencës dhe kulturës dhe që po ndryshojnë shoqërinë me punën dhe angazhimin e tyre”, thuhet në njoftim.
Ngjarja është e dedikuar për nxënësit e shkollave të mesme dhe studentët, të cilët gjatë sesionit interaktiv do të kenë mundësinë të përfshihen në diskutim dhe të parashtrojnë pyetje, thuhet në kumtesë.

