Pas lirimit të Boki 13, reagon Agim Islami: “Burgu ekziston vetëm për hallexhinjtë dhe të pafajshmit”

Nga R.ZH
A+ A-
Rivendos

Shkup, 04 nëntor, Zhurnal.mk – Pas publikimit të lajmit për lirimin nga burgu të Bojan Jovanovskit, i njohur si Boki 13, ka reaguar Agim Islami, i dënuar në rastin “Alfa”, i cili prej vitesh ndodhet në burg.

Në reagimin e tij, Islami ka shprehur kritika të ashpra ndaj sistemit të drejtësisë, duke e lidhur lirimin e Boki 13 me rastin e tij dhe duke pretenduar se ai po mbahet në burg pavarësisht rezultateve të një superekspertize, për të cilën thotë se ka dëshmuar pafajësinë e tij.

“Gjykata me 2% besueshmëri, e ruan me fanatizëm këtë rejting!”, shkruan Islami në reagimin e tij.

Duke iu referuar rastit të Jovanovskit, Islami pretendon se ai fillimisht ishte dënuar me 18 vjet burg, më pas dënimi i ishte ulur në pesë vjet dhe se në fund nuk kishte qëndruar as një vit në burg.

“E sot u shpall i pafajshëm, është i lirë në shtëpi me milionat që i ka zhvatur nga politikanë (pare të popullit) dhe biznesmenë!”, shprehet Islami.

Ai ka kritikuar mënyrën e funksionimit të sistemit të drejtësisë, duke pretenduar se trajtimi i qytetarëve ndryshon në varësi të mundësive financiare dhe ndikimit politik.

“Burgu ekziston vetëm për hallexhinjtë dhe për të pafajshmit, për ata që s’kanë pare dhe fuqi politike!”, shkruan më tej Islami.

Në reagimin e tij, ai shton se personat me para dhe ndikim politik mund të fitojnë lirinë edhe kur, sipas tij, kanë kryer vepra të rënda, ndërsa ata pa këto mundësi mbeten në burg.

“Ky është shteti ynë, Turp!”, përfundon Islami.

Në fund të reagimit, ai ka përmendur edhe kohëzgjatjen e çështjes së tij, duke shkruar: “2008–2026/27.. Liri për Rastin Alfa. 18 vite padrejtësi.”

artikuj të ndërlidhura