Prishtinë, 20 gusht, Zhurnal.mk – Vdekja e punëtorit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Arbenit Ahmeti, pas kontaktit me tensionin elektrik, ka nxitur reagime nga përfaqësues të partive politike.
Sipas njoftimit të KEK-ut, Ahmeti pësoi lëndime të rënda gjatë angazhimit në transportimin dhe zhvendosjen e kabllove 6 kV. Ai u dërgua për trajtim mjekësor në Ambulancën e Obiliqit, por nuk arriti t’u mbijetonte plagëve.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, ka kërkuar hetim të plotë dhe të menjëhershëm për rastin, duke vënë theksin te siguria e punëtorëve në vendin e punës.
“Brenda vetëm tri ditësh, dy punëtorë të KEK-ut kanë humbur jetën në vendin e punës. Siguria e punëtorëve duhet të jetë mbi gjithçka. Duhet hetim i plotë, serioz dhe i menjëhershëm për secilin rast, për kushtet e punës, masat e sigurisë dhe përgjegjësinë institucionale”, ka shkruar Deliu.
Edhe deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka reaguar duke ngritur pyetje për sigurinë në KEK.
Ajo ka theksuar se brenda tri ditësh kanë humbur jetën dy punëtorë të kësaj korporate dhe ka kërkuar të dihet nëse janë respektuar rregullat e sigurisë dhe kush mban përgjegjësi për to.
“Duhet hetim i plotë, transparencë dhe përgjegjësi. Jo heshtje!”, ka shkruar Musliu.
Musliu ka pyetur se Kush mban përgjegjësi për sigurinë e punëtorëve në KEK? A janë respektuar rregullat e sigurisë? Kush i ka vlerësuar rreziqet dhe çfarë masash janë marrë pas incidentit të parë?
Reagim ka pasur edhe nga Burim Ramadani i Alenancës, i cili ka thënë se brenda pak javësh në KEK kanë humbur jetën tre punëtorë.
Ramadani ka përmendur, përveç Arbenit Ahmetit, edhe teknikun Haxhi Gojnovci, i cili humbi jetën tri ditë më parë, si dhe punëtorin Milazim Binaku, i cili kishte vdekur një muaj më parë.
Ai ka kritikuar institucionet për mungesën e, siç e ka cilësuar, kushteve bazike të sigurisë dhe ka kërkuar përgjegjësi për rastet.
“Buka e gojës nuk guxon të paguhet me jetë njerëzish!”, ka shkruar Ramadani, duke theksuar se ky është dështim total dhe kriminal i shtetit.
Ndërkohë, KEK ka bërë të ditur se organet kompetente po e trajtojnë rastin dhe se rrethanat e aksidentit do të sqarohen në përputhje me procedurat përkatëse.
