Tiranë, 29 korrik, Zhurnal.mk – Kryetari i grupit parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi, bëri sot të ditur se opozita i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kundërshtuar procedurën e ndjekur nga mazhoranca për miratimin e marrëveshjes së huasë prej 302 milionë eurosh ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për blerjen e pajisjeve ushtarake.
Në një deklaratë për mediat nga kryesia e Kuvendit, Bardhi tha se PD kishte paralajmëruar që gjatë seancës plenare se procedura ishte në kundërshtim me Kushtetutën dhe se nëse shumica do të vazhdonte me miratimin, çështja do t’i nënshtrohej kontrollit kushtetues.
Sipas tij, opozita nuk kundërshton marrëveshjen në vetvete, por mënyrën se si ajo u miratua. Bardhi theksoi se Partia Demokratike e mbështet në parim marrëveshjen, duke e konsideruar të rëndësishme për modernizimin e Forcave të Armatosura dhe përmbushjen e detyrimeve të Shqipërisë në kuadër të NATO-s.
“Gjatë seancës plenare të ditës së hënë, në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, paralajmërova zyrtarisht se procedura e ndjekur nga shumica për miratimin e marrëveshjes së huasë prej 302 milionë eurosh ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për blerjen e pajisjeve ushtarake ishte në kundërshtim me Kushtetutën. Paralajmërova gjithashtu se, nëse mazhoranca do të këmbëngulte në këtë rrugë, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do t’ia nënshtronte atë kontrollit të Gjykatës Kushtetuese.
“Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike dhe opozita në tërësi e ka bërë të qartë se e mbështet në parim këtë marrëveshje, sepse ajo i shërben interesit strategjik të Shqipërisë për të rritur investimet në mbrojtje, për të modernizuar Forcat e Armatosura dhe për të përmbushur detyrimet që burojnë nga anëtarësimi në NATO. Pikërisht sepse bëhet fjalë për marrëveshjen më të rëndësishme të viteve të fundit me Shtetet e Bashkuara në fushën e mbrojtjes, ajo duhej të ishte një model i respektimit të Kushtetutës, i transparencës dhe i debatit parlamentar, jo një tjetër shembull i përdorimit të shumicës parlamentare për ta shkelur atë.
“Sepse problemi nuk është marrëveshja, të cilën edhe sot pas miratimit antikushtetues nuk e njohim se çfarë përmban. Problemi është mënyra antikushtetuese se si shumica vendosi ta miratonte marrëveshjen. Për këtë arsye, kjo nuk është një mosmarrëveshje politike. Është një çështje kushtetuese. Është një çështje për të mbrojtur dinjitetin e Republikës së Shqipërisë, institucioneve të saj demokratike dhe thelb vetë imazhit të shtetit shqiptar në botë”, tha Bardhi.
Bardhi tha se mazhoranca ka shkelur standardet kushtetuese dhe vendimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese për procedurat parlamentare, duke miratuar marrëveshjen me procedurë të përshpejtuar dhe pa u dhënë deputetëve kohën e nevojshme për t’u njohur me dokumentacionin.
“Procedura e ndjekur për miratimin e kësaj marrëveshjeje nuk përmban vetëm një shkelje të izoluar. Ajo cenon njëkohësisht disa prej parimeve themelore mbi të cilat funksionon parlamentarizmi kushtetues: të drejtën e deputetëve për t’u njohur dhe për të debatuar mbi aktet që votojnë, afatet kushtetuese të përdorimit të procedurës së përshpejtuar dhe sigurinë juridike që duhet të shoqërojë hyrjen në fuqi të një marrëveshjeje ndërkombëtare”, tha Bardhi.
Bardhi renditi shtatë shkelje kushtetuese që, sipas tij, janë konsumuar gjatë procesit të miratimit. Mes tyre përmendi mungesën e aksesit të deputetëve në tekstin e marrëveshjes dhe raportin financiar, mosrespektimin e afateve procedurale, përdorimin e pajustifikuar të procedurës së përshpejtuar, kufizimin e të drejtës së opozitës për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese përpara ratifikimit, si dhe pamundësinë e hyrjes në fuqi të marrëveshjes për shkak të mosbotimit të saj në Fletoren Zyrtare.
Sipas Bardhit, qeveria kishte më shumë se një muaj kohë për ta sjellë marrëveshjen në Kuvend sipas procedurës së zakonshme, por zgjodhi ta paraqiste në ditën e fundit të punimeve parlamentare, duke krijuar artificialisht një situatë urgjence.
“Shkelja e parë: Deputetëve iu mohua e drejta kushtetuese për t’u njohur me marrëveshjen përpara votimit; Shkelja e dytë: Deputetëve iu mohua e drejta kushtetuese për të kontrolluar mënyrën e përdorimit të fondeve publike; Shkelja e tretë: Deputetëve iu mohua e drejta për të ushtruar lirisht funksionin e tyre parlamentar, përmes debatit parlamentar, paraqitjes së amendamenteve dhe votimit të informuar; Shkelja e katërt: Kjo lidhet me një afat tjetër shumë të rëndësishëm, i përcaktuar shprehimisht në Kushtetutë dhe i interpretuar qartë nga Gjykata Kushtetuese, kur ajo rrëzoi mënyrën sesi Kuvendi miratoi Rregulloren e funksionimit të tij; Shkelja e pestë: Marrëveshja u trajtua sikur Shqipëria të ndodhej në një situatë të jashtëzakonshme, me nevojë dhe urgjencë për hyrjen e menjëhershme në fuqi të ligjit. Në fakt, nuk ekzistonte asnjë nga këto kushte; Shkelja e gjashtë: 1/5 e Deputetët kanë të drejtë që të venë në lëvizje Gjykatën Kushtetutese për të kontrolluar një marrëveshje përpara ratifikimit të saj; Shkelja e shtatë: Qeveria ka pamundësuar hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Huasë me SHBA-të. Duke e shpallur marrëveshjen sekrete, ajo ka pamundësuar botimin e saj në Fletoren Zyrtare. Por Kushtetuta përcakton qartë se një marrëveshje ndërkombëtare e ratifikuar me ligj bëhet pjesë e sistemit të brendshëm juridik vetëm pasi botohet në Fletoren Zyrtare”, tha Bardhi ndër të tjera.
Në përfundim, kreu i grupit parlamentar të PD bëri të ditur se kërkesa e depozituar në Gjykatën Kushtetuese synon shfuqizimin dhe pezullimin e ligjit ratifikues, me argumentin se marrëveshja duhet të miratohet përmes një procedure të rregullt parlamentare dhe në përputhje me Kushtetutën. Ai shtoi se, nëse Gjykata e shqyrton çështjen me përparësi, marrëveshja mund të rivotohen në një seancë të jashtëzakonshme, duke respektuar të gjitha standardet kushtetuese.
“Pikërisht mbi këto argumente, të mbështetura në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në vendimet e detyrueshme për zbatim të Gjykatës Kushtetuese dhe në jurisprudencën më të fundit të saj, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike sapo i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar kontrollin kushtetues të procedurës së ndjekur nga Kuvendi. Kemi kërkuar nga Gjykata Kushtetuese shfuqizimin e ligjit ratifikues dhe pezullimin e tij. Qëllimi ynë është të mbrojmë kushtetutshmërinë në vend dhe që marrëveshja më e rëndësishme ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare të miratohet sipas Kushtetutës, me një procedurë të rregullt parlamentare, në përputhje me standard
