Tiranë, 15 shtator, Zhurnal.mk – Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Floriana Garo, deklaroi se çmimi i naftës në Shqipëri ka arritur në 2.48 euro për litër, duke u renditur ndër shtetet me karburantin më të shtrenjtë në Evropë.
Garo tha se të dhënat e referuara nga Buletini Javor i Komisionit Europian e rendisin Shqipërinë të dytën në kontinent për çmimin e naftës, pas Danimarkës, ndërsa sipas saj çmimi është më i lartë se në vende si Holanda, Gjermania dhe Norvegjia.
“Nafta 229 lekë nuk është thjesht një produkt dhe një çmim, por është një politikë e vjedhjes me anë të rritjes së taksave”, deklaroi Garo.
Ajo krahasoi çmimin e karburantit në Shqipëri me vendet e rajonit, duke thënë se Mali i Zi e shet naftën me rreth 1.87 euro për litër, Kosova me 1.76–1.85 euro, ndërsa Maqedonia e Veriut me 1.64 euro. Sipas saj, në Ukrainë çmimi është rreth 1.35 euro për litër.
Garo argumentoi se diferenca lidhet me politikat fiskale të ndjekura nga vendet e rajonit. Ajo tha se Mali i Zi ka ulur akcizën e naftës deri në 50% në periudha krize, Serbia deri në 25% dhe ka aplikuar çmime tavan, ndërsa Maqedonia e Veriut aplikon akcizën dhe TVSH-në si dy taksa kryesore, duke e mbajtur, sipas saj, më të ulët barrën fiskale mbi karburantin.
Për Kosovën, Garo tha se janë përdorur herë pas here masa për rregullimin e përkohshëm të marzheve dhe vendosjen e çmimeve maksimale të tregtimit.
Sipas zëdhënëses së PD-së, qeveria shqiptare nuk ka ndërmarrë masa të ngjashme dhe ka vijuar me rritjen e barrës fiskale mbi karburantet.
Garo rikujtoi se Partia Demokratike, gjatë fushatës elektorale të vitit 2025, kishte premtuar përgjysmimin e taksave të karburantit dhe ia ka drejtuar këtë kërkesë edhe qeverisë.
“Sipas përllogaritjeve tona, nëse do të ndiqej kjo politikë, çmimi i naftës sot do të ishte 1.71 euro për litër, pra në mesataren e rajonit dhe jo ndër çmimet më të shtrenjta në Evropë”, deklaroi ajo.
Garo e cilësoi qeverinë Rama përgjegjëse për nivelin e çmimeve të karburantit, duke kundërshtuar argumentin se rritja lidhet me konfliktet dhe zhvillimet në tregjet ndërkombëtare.
“Përgjegjës për këtë gjendje është vetëm një njeri dhe e ka emrin Edi Rama”, tha Garo.
Në përfundim, zëdhënësja e PD-së u bëri thirrje qytetarëve, përfshirë demokratë, socialistë dhe të pavarur, që t’i bashkohen protestës qytetare.
