PDE nga sot e shkrirë në BDI

Nga B.M
820 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 23 janar – Duke u nisur nga thirrja publike e Bashkimit Demokratik për Integrim për bashkimin e partive politike që ndajnë të njëjtin vizion për përfaqësimin dinjitoz dhe të ardhmen politike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, sot u zhvillua një takim zyrtar mes Kryetarit të BDI-së, z. Ali Ahmeti, dhe Kryetarit të Partisë Demokratike Evropiane, z. Arjanit Hoxha.

Takimi u zhvillua në frymë konstruktive dhe vullnet të ndërsjellë për bashkëpunim politik, me theks të veçantë në nevojën për unifikimin e faktorëve politikë shqiptarë rreth një platforme të përbashkët që garanton stabilitet, përfaqësim të fuqishëm institucional dhe avancim të proceseve euro-integruese të vendit.

Palët u dakorduan që në të ardhmen të funksionojnë si një subjekt i vetëm politik në kuadër të Bashkimit Demokratik për Integrim si partia më e konsoliduar dhe e organizuar shqiptare në vend duke i bashkuar kapacitetet organizative, programore dhe njerëzore, në shërbim të interesit të përgjithshëm të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Zyrtarizimi i këtij vendimi, si dhe detajet organizative dhe procedurale të integrimit, do të bëhen publike pas miratimit formal nga Këshilli i Përgjithshëm i Bashkimit Demokratik për Integrim.

Të dyja palët shprehin bindjen se ky bashkim do të shërbejë si model i përgjegjësisë politike dhe i unitetit, në funksion të interesit qytetar dhe perspektivës evropiane të Maqedonisë së Veriut.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër