Prishtinë, 6 nëntor, Zhurnal.mk – Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, në një bisedë për Ekonomia Online, ka folur për ndërprerjen e hetimeve nga Prokuroria Speciale lidhur me subvencionet. Ai ka pretenduar se akuzat ndaj tij janë bërë për shkak se ishte njëri nga ministrat më të votuar të Qeverisë Kurti II.
“Prokuroria është institucion i pavarur. Edhe ashtu duhet të jetë. Për ata që thonë se është kapur Prokuroria, le t’i ofrojnë faktet, sepse unë nuk njoh askënd në Prokurori. Ka qenë fakt i ditur se procesi i përzgjedhjes së subvencioneve dhe granteve gjatë mandatit tim si ministër, për herë të parë në Kosovën e pasluftës, ka qenë i bazuar në meritokraci”, tha Peci.
Ish-ministri i Bujqësisë ka aluduar se sulmet ndaj tij kanë ardhur nga analistë, për të cilët pretendon se i shërbejnë opozitës, por nuk ka përmendur emra.
“Suksesi im si ministër dhe si ministri më i votuar i Qeverisë Kurti II ka angazhuar të gjitha qarqet opozitare, përfshirë edhe analistët që po i përmend ti, të cilët janë përkrahës të opozitës, që të lansojnë shpifje, trillime dhe linçime publike, duke ushtruar presion mbi Prokurorinë Speciale që thjesht të iniciojë procedurë. Prokuroria edhe ka iniciuar procedurë. Nga kjo perspektivë, mua më është dukur absurde, por mirë që ka iniciuar, sepse dihet e vërteta, të cilën e kam ditur unë. Besoj se e kanë ditur dhe e kanë besuar edhe shumica e qytetarëve”, potencoi ai.
Peci e ka mohuar kategorikisht se Prokuroria është “kapur” nga pushteti, përkundër faktit se për disa ministra të Qeverisë kanë pushuar hetimet pas ardhjes së kryeprokurorit të ri të Shtetit, Zejnullah Gashi.
“Kjo nuk lidhet me procesin e ndryshimeve në Prokurori, sepse as nuk e di se cilat janë ato ndryshime. E di që është zëvendësuar një ushtrues detyre i prokurorit dhe nuk i di në detaje zhvillimet në Prokurorinë Speciale. Madje, nuk njoh asnjë prokuror. I vetmi prokuror që njoh është ai që më ka intervistuar. Ata që kanë iniciuar linçime dhe shpifje duhet të bëjnë përpjekje t’i arsyetojnë ato”, theksoi Peci.
Kryetari i Mitrovicës së Jugut ka qenë kritik ndaj organit të akuzës, pasi pretendon se nuk ka ndërmarrë asnjë veprim lidhur me kallëzimin penal që ai ka dorëzuar për rezultatet e publikuara në zgjedhjet komunale, sipas të cilave Peci rezultonte humbës në garën për kryetar të Mitrovicës së Jugut.
“Ta zëmë, kur flasim për analistët, unë jam kurioz të di se cilat janë veprimet që ka ndërmarrë Prokuroria lidhur me kallëzimin penal për ndërhyrjen dhe shkeljet ligjore në ditën e zgjedhjeve. Nuk kam dëgjuar që Prokuroria ka ftuar akterët që kanë thyer heshtjen zgjedhore”, u shpreh ai.
Peci, ndonëse nuk është më ministër, vazhdon të flasë për rezultatet që thotë se i ka arritur gjatë kohës sa ishte në krye të dikasterit të Bujqësisë.
“Sektori i bujqësisë ka qenë ndër sektorët më produktivë në Kosovën e pasluftës. Sot flasim për bilancin tregtar. Kur unë kam marrë detyrën e ministrit, Kosova ka importuar 47 milionë euro grurë, kryesisht nga Serbia. Në vitin 2025, kjo shifër ka rënë në 18 milionë euro. Importi i grurit ka rënë për më shumë se 100 për qind. Në vitin 2021, Kosova ka prodhuar 135 tonë domate, ndërsa në nëntëmujorin e vitit 2026 prodhimi ka arritur në mbi 4,700 tonë, që nënkupton një rritje prej afër 50 për qind të eksportit të këtij produkti”, deklaroi Peci.
