Venezuela është një shtet sovran me sovranitet të plotë dhe të përhershëm mbi burimet e saj natyrore dhe aktivitetet ekonomikedhe SHBA po kërkon “shkeljen e ligjit ndërkombëtar, shkeljen e sovranitetit dhe minimin e të drejtave të popullit venezuelian”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning, në lidhje me pretendimet e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, se Shtetet e Bashkuara do të marrin 50 milionë fuçi naftë të sanksionuar më parë, të cilën Uashingtoni do ta shesë, me shumë mundësi një pjesë në Kinë.
Pekini deri më tani ka blerë afërsisht 90% të prodhimit vjetor të naftës bruto të Karakasit.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump deklaroi se qeveria e përkohshme e Venezuelës do t’i dorëzojë Shteteve të Bashkuara nga 30 deri në 50 milionë fuçi naftë të sanksionuar, një hap që ai e paraqiti si përfitim për të dy vendet.
Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump tha se nafta do të shitej me çmime tregu dhe se të ardhurat do të kontrolloheshin prej tij si president, për t’u siguruar që do të përdoreshin “në dobi të popullit të Venezuelës dhe të Shteteve të Bashkuara”.
“Kam kërkuar nga sekretari i Energjisë, Chris Wright, ta zbatojë këtë plan menjëherë. Nafta do të merret nga anije magazinimi dhe do të transportohet drejtpërdrejt në portet e shkarkimit në Shtetet e Bashkuara” , shtoi ai.
SHBA-ja sulmoi objektiva në Venezuelë, duke kapur udhëheqësin autoritar Nicolás Maduro nën akuzat për vepra penale të lidhura me drogën dhe duke e larguar atë nga vendi. Pas operacionit, Trump deklaroi se SHBA-ja do ta administronte përkohësisht Venezuelën.

