Tetovë, 21 janar – Për shkak të borës në disa vendbanime të Komunës së Tetovës ka vonesa në mbledhjen e mbeturinave.
Si pasojë e kushteve të vështira atmosferike dhe reshjeve të pandërprera të borës, në disa vendbanime të territorit të Komunës së Tetovës ka vonesa në grumbullimin e mbeturinave komunale.
Nga kompania ‘Saubermacher’ thonë se për shkak të vështirësive në qasjen dhe sigurinë e lëvizjes së automjeteve në terren, shërbimi nuk mund të realizohet sipas orarit të paraparë.
“Grumbullimi i mbeturinave nga kompania Saubermacher Tetovë do të vazhdojë dhe do të kryhet menjëherë sapo kushtet të përmirësohen dhe të sigurohet qasje e sigurt dhe e papenguar për automjetet. Kërkojmë mirëkuptimin dhe durimin tuaj deri në normalizimin e plotë të situatës”, thanë nga Saubermacher.
Në ndërkohë, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami ka njoftuar se ekipet për pastrimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve janë në terren dhe po punojnë në vazhdimësi për të mundësuar qarkullim të lirë për shkakë të reshjeve të borës.
“Apelojmë tek qytetarët që të vozisin me kujdes, të kenë pajisje dimërore dhe të respektojnë rregullat e komunikacionit për sigurinë e të gjithë qytetarëve”, tha Kasami.

