Përgatitjet për Samitin e Drejtuesve të Biznesit (CEO) të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC) për vitin 2026 kanë hyrë në fazën e fundit. Punimet po ecin sipas planit në prag të ngjarjes që do të mbahet më 17-18 nëntor në Shenzhen, në provincën Guangdong të Kinës Jugore, njoftoi Këshilli Kinez për Promovimin e Tregtisë Ndërkombëtare (CCPIT).
Samiti, i organizuar nga CCPIT me temën “Të përparojmë dhe të fitojmë të ardhmen së bashku”, do të mbledhë së bashku përfaqësues politikë dhe të biznesit nga ekonomitë anëtare të APEC-ut.
Sipas Wang Wenshuai, zëdhënës i CCPIT, disa liderë të ekonomive të APEC-ut do të mbajnë fjalime ose do të marrin pjesë në diskutime në panele, si dhe do të kenë shkëmbime të drejtpërdrejta me drejtues biznesi nga i gjithë rajoni, shkruan “Xinhua”.
Wang bëri të ditur se përfaqësues biznesi nga të 21 ekonomitë e APEC-ut janë regjistruar për të marrë pjesë në këtë ngjarje. Gjithashtu, janë regjistruar edhe kompani të njohura nga vende që nuk janë anëtare të APEC-ut, përfshirë Britaninë, Francën, Gjermaninë dhe Zvicrën.
Foto nga VCG
Foto nga VCG
Axhenda në Shenzhen do të përfshijë një sërë temash, siç janë krijimi i Zonës së Tregtisë së Lirë Azi-Paqësor, ndërlidhja, inteligjenca artificiale, ekonomia digjitale, zhvillimi i Zonës së Madhe të Gjirit (Guangdong-Hong Kong-Makao), zhvillimi i qëndrueshëm, si dhe transformimi digjital dhe i gjelbër.
Ndërkohë, Këshilli Këshillimor i Biznesit të APEC-ut (ABAC) – një mekanizëm përmes të cilit komuniteti i biznesit rajonal merr pjesë në bashkëpunimin e APEC-ut dhe u paraqet rekomandime politikash liderëve të ekonomive anëtare – do të zhvillojë takimin e tij të katërt të vitit në Shenzhen, nga data 14 deri më 16 nëntor.
Me temën vjetore “Hapje, ndërlidhje dhe sinergji”, ky takim i ABAC-ut do të përqendrohet në integrimin ekonomik rajonal, zhvillimin e qëndrueshëm, ndërlidhjen dhe inovacionin digjital, si dhe do të bëjë një përmbledhje të punës së vitit dhe do të diskutojë prioritetet për vitin e ardhshëm. Këshilli ka zhvilluar tashmë tri takime gjatë vitit 2026 – në Xhakartë, Meksiko Siti dhe Bangkok – nga të cilat kanë rezultuar 14 dokumente përfundimtare.
Wang vuri në dukje se Samiti i Drejtuesve të Bizneseve do të mbështetet te rekomandimet e politikave të ABAC-ut për këtë vit, si dhe te diskutimet që do të zhvillohen gjatë samitit, për të shpallur së bashku me komunitetin e biznesit të rajonit Azi-Paqësor një nismë të quajtur “Nisma e Shenzhenit”.
Sipas Wang, kjo nismë do të jetë në përputhje me tematikën e APEC-ut në Kinë për vitin 2026, “Ndërtimi i një komuniteti Azi-Paqësor për prosperitet të përbashkët”, dhe do të pasqyrojë angazhimin e komunitetit të biznesit për të nxitur hapjen, zhvillimin gjithëpërfshirës, inovacionin, ndërlidhjen dhe bashkëpunimin me përfitime të ndërsjella në të gjithë rajonin.
