Shkup, 18 shtator, Zhurnal.mk – Ish‑drejtori i Lotarisë shtetërore, Përparim Bajrami, deklaroi se nuk ndjehet fajtor për rastin “Lotaria shtetërore” në gjykimin e sotëm në Gjykatën Themelore Penale Shkup.
Në gjykimin që filloi javën e kaluar, të gjithë të akuzuarit u deklaruan se nuk ndjehen fajtorë, përveç Bajramit, i cili në seancën e parë ende ishte i pakapshëm për organet e ndjekjes, dhe të akuzuarit Bashkim Avdi, i cili deklaroi se nuk e kupton aktakuzën që i vihet në barrë dhe kërkoi t’i dorëzohet me shkrim në gjuhën e tij amtare, shqip.
Në seancën e sotme, i akuzuari Avdi gjithashtu deklaroi se nuk ndjehet fajtor.
Bajrami, së bashku me ish‑zëvendëskryeministrin Artan Grubi, Metodija Dimovski, Skender Mehmeti, Bojan Janev, Fatmir Ramadanovski, Aleksandar Dimitrioski dhe Bashkim Avdiu akuzohen se i kanë tejkaluar autorizimet zyrtare dhe kanë shkaktuar dëm ndaj “Lotarisë shtetërore” në shumën prej 596.125.511 denarësh.
Pasi iku nga vendi, për Bajramin u shpall fletë‑arreste ndërkombëtare. Më 9 shtator ai vetë u dorëzua në vendkalimin kufitar “Bllacë”, pas së cilës u dërgua në burgun e Shkupit për të vuajtur masën e mëparshme të paraburgimit.
Më herët në arrati ishte edhe ish‑zëvendëskryeministri Grubi, i cili iu dorëzua organeve të ndjekjes në shkurt të këtij viti, pas një viti arrati.
Aktakuzën për këtë rast e përfaqësojnë prokurorët publikë Daniel Kocev dhe Aleksandar Davçevski, ndërsa procesin e udhëheq gjyqtarja Biljana Shuplinovska Jovevski.
