Përplasje partiake për ujin në Gostivar: VMRO‑DPMNE kërkon përgjigje nga Filipçe

Nga D. V.
652 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 4 gusht, Zhurnal.mk – „Hipokriti Filipçe të mos sillet sikur në politikë është prej dje, të mos japë deklarata të dyfytyrta dhe të mos veprojë sikur opinioni vuan nga amnezia kolektive“, thuhet në njoftimin e VMRO‑DPMNE‑së.

„Ekzistojnë dokumente nga koha kur Filipçe ishte pjesë e qeverisë së Zoran Zaevit dhe ministër i shëndetësisë, dokumente që tregojnë për probleme serioze dhe parregullsi. Këto probleme sot dalin në sipërfaqe. Në vend që të sillet në mënyrë të dëshpëruar për të mbledhur ndonjë pikë politike, sepse partia që ai drejton është në rënie të lirë, tani është i detyruar t’i përgjigjet opinionit pse, kur ka qenë ministër, ka heshtur dhe nuk ka dhënë leksione, megjithëse kanë ekzistuar indikacione se uji i pijshëm në Gostivar nuk i plotësonte standardet ligjore“, thonë ata.

Sipas VMRO‑DPMNE‑së, kjo nuk është vetëm karakteristikë e Filipçes, por e të gjithë LSDM‑së, sepse problemi ka vazhduar edhe pasi Filipçe nuk ka qenë më ministër.

„Në dokumente figuron se më 11.11.2020 analiza mikrobiologjike ka treguar numër të shtuar të baktereve koliforme dhe ka konstatuar se uji nuk duhet të përdoret për pije. Më 15.02.2021 dhe 01.03.2021, sërish është konstatuar se uji nuk i plotëson kriteret sipas rregulloreve për sigurinë dhe cilësinë e ujit të pijshëm.

Më 11.07.2022, uji i pijshëm i dorëzuar nga NP ‘Komunalec’ – Gostivar, nuk ka qenë i përshtatshëm për përdorim për shkak të numrit të shtuar të baktereve aerobike mezofile. Më 29.06.2023 sërish është konstatuar jopërshtatshmëri për shkak të kolonive bakteriale. Më 04.08.2023, përsëri është konstatuar se uji i pijshëm nuk është i rregullt për shkak të numrit të shtuar të baktereve aerobike mezofile“, thonë nga pushteti.

„Por për këtë, as Filipçe, as LSDM si parti atëherë në pushtet, nuk kanë reaguar siç duhet. Edhe tani nuk reagojnë siç duhet, por vetëm përpiqen të shesin versionin e tyre të rastit me qëllim që kjo t’u sjellë poena politikë. Nuk kërkojnë përgjegjësi nga kryetari i Gostivarit, Valbon Limani, sepse koalicioni LSDM‑BDI‑Taravari nuk mund të ndahet, prandaj edhe në opozitë veprojnë së bashku, kundër popullit. Filipçe të japë përgjigje të qartë dhe të paekuivokë para opinionit pse ka heshtur gjatë mandatit të tij si ministër i shëndetësisë. Kjo nuk është koha e Zoran Zaevit dhe LSDM‑së kriminale kur raste të tilla injoroheshin.

Në vijim është procedura zyrtare për përcaktimin e të gjitha rrethanave të rastit. Institucionet kompetente po e shqyrtojnë në detaje dokumentacionin e plotë dhe po i verifikojnë të gjitha faktet relevante. Personat për të cilët ekziston dyshim për përgjegjësi më të madhe tashmë janë privuar nga liria, ndërsa hetimi vazhdon; po ndërmerren të gjitha aktivitetet e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit, dhe opinioni do të informohet me kohë dhe do të marrë rekomandimet dhe udhëzimet e duhura bazuar në rezultatet e analizave“, thuhet në kumtesë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër