Përplasje për konsullatën serbe në Shkodër, ministri Hoxha: Asgjë nuk është vendosur. Boçi: Po rikthehet hija e Esat Pashës, mos harroni historinë

Nga Xh M
877 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkodër, 2 gusht Zhurnal.mk – Deklarata e ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Djuric, se Shqipëria dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje në parim për hapjen e konsullatave në Shkodër dhe Bujanovc ka shkaktuar debat në Tiranë, ndërsa Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka sqaruar se procesi është ende në diskutim dhe nuk ka një dakordësi përfundimtare.

Djuric deklaroi për Radio Beograd se gjatë takimeve me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Ferit Hoxha, është rënë dakord në parim për hapjen e një konsullate serbe në Shkodër dhe një konsullate shqiptare në Bujanovc.

Pas reagimeve, ministri Ferit Hoxha sqaroi se Shqipëria ka kërkuar hapjen e një Konsullate të Përgjithshme në Luginën e Preshevës, ndërsa Serbia ka paraqitur kërkesën për një Konsullatë të Përgjithshme në Shkodër. Sipas tij, veprimet konkrete do të ndërmerren vetëm nëse të dyja palët bien dakord për të gjitha aspektet e procesit.

Hoxha theksoi se reciprociteti mbetet një parim themelor i marrëdhënieve ndërmjet shteteve, por ai nuk nënkupton domosdoshmërisht barazi në përmbajtje apo objektiva. Sipas ministrit, synimi kryesor i Shqipërisë është krijimi i një pranie të përhershme konsullore në Luginën e Preshevës, për t’u ofruar mbështetje më të afërt shqiptarëve që jetojnë në atë zonë.

‘’Në praktikën e konsoliduar diplomatike, reciprociteti është një parim themelor i marrëdhënieve ndërmjet shteteve dhe një instrument i politikës së jashtme për të avancuar interesat kombëtare.

Ai nuk nënkupton domosdoshmërisht barazi në përmbajtje, në objektiva apo në interesat e secilës palë. Reciprociteti është qasja mbi të cilën ndërtohet mirëkuptimi ndërmjet shteteve, jo një masë mekanike me të cilën maten veprimet apo rezultatet.

Synimi dhe interesi i Shqipërisë është të krijojë më në fund një prani konsullore të përhershme në Luginën e Preshevës, një zhvillim i vonuar, në një hapësirë ku jeton një komunitet i rëndësishëm shqiptar. Kjo do të krijojë mundësi më të mira për të qenë më pranë qytetarëve shqiptarë atje, për t’i mbështetur ata në mënyrë më të drejtpërdrejtë dhe për të kontribuar në mbrojtjen e interesave të tyre legjitime’’, shkruan Hoxha.

Ai shtoi se politika e jashtme shqiptare bazohet në interesin kombëtar, respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe vlerat evropiane, duke theksuar se këto parime do të udhëheqin çdo vendimmarrje në këtë proces.

‘’Është e çuditshme, madje e vështirë për t’u kuptuar, që shumë prej reagimeve zgjedhin të anashkalojnë pikërisht atë që është thelbësore: interesin e Shqipërisë dhe përfitimin konkret që sjell krijimi i një pranie të përhershme konsullore shqiptare në Luginën e Preshevës.

Në vend që vëmendja të përqendrohet te mbështetja që kjo përfaqësi do t’u ofrojë shqiptarëve që jetojnë atje, te forcimi i lidhjeve të tyre me Shqipërinë dhe te mbështetja më e mirë e të drejtave dhe interesave të tyre legjitime, debati zhvendoset tek hamendësimet mbi interesat e supozuara të palës tjetër’’, thotë Hoxha.

Ndërkohë, çështja ka ngjallur reagime të shumta në politikën shqiptare. Deputetët e qarkut të Shkodrës, Marjana Koçeku dhe Bardh Spahia, kanë shprehur kundërshtimin e tyre, duke argumentuar se në qytet nuk ekziston një komunitet serb që të justifikojë hapjen e një konsullate.

Edhe ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, e cilësoi të papërshtatshme një konsullatë serbe në Shkodër, duke argumentuar se ajo nuk pasqyron realitetin historik dhe demografik të zonës dhe nuk mund të vendoset në të njëjtën peshore me kërkesën shqiptare për një konsullatë në Luginën e Preshevës.

“Një konsullatë e Serbisë në Shkodër nuk reflekton realitetin historik, peshën e pakicës serbe në zonë, dhe vendos padrejtësisht shenja barazimi me shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës. Po aq e gabuar do të ishte edhe në planin taktik, teksa gjuha e zyrtarëve të lartë të Serbisë është në kulmin e ekstremitetit në raport me spastrimin etnik në Kosovë”, shkroi Bushati.

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe ish-kryeministri Pandeli Majko, i cili deklaroi se interesat e Shqipërisë dhe Serbisë në këtë proces nuk janë të krahasueshme, ndërsa nënvizoi rëndësinë strategjike që ka për Shqipërinë krijimi i një përfaqësie konsullore në Luginën e Preshevës.

“Në Shkodër konsullata serbe do të ketë më rëndësi sesa vetë minoriteti. Kundrejt hapjes së konsullatës serbe në Shkodër do të hapet konsullata shqiptare në Luginën e Preshevës. Krahasimi është më shumë se një ironi. Për Shqipërinë duket se konsullata është trajtuar si shprehje e interesit standard.

Për Serbinë, që nuk njeh sovranitetin e Kosovës dhe diskuton identitetin e Malit të Zi, është diçka tjetër. Serbia në Shkodër ka marrë më shumë se një konsullatë”, përfundon Majko.

Kritika të forta adresoi edhe Luçiano Boçi i Partisë Demokratike, i cili e konsideroi të papranueshme hapjen e një konsullate serbe në Shkodër, duke e lidhur çështjen me historinë e marrëdhënieve shqiptaro-serbe dhe duke kërkuar që vendime të tilla të peshohen edhe në aspektin simbolik e historik.

‘’Shkodra nuk është një qytet çfarëdo. Është qyteti që i rezistoi rrethimit serbo-malazez. Është qyteti ku kujtesa historike nuk është një kapitull libri, por pjesë e identitetit të banorëve të saj dhe e gjithë Shqipërisë. Është vendi ku emrat e atyre që e mbrojtën qytetin shqiptohen me respekt e përulje nderi. Prandaj nuk është e çuditshme që shumë qytetarë, intelektualë e politikanë e shohin këtë vendim me dyshim.

Historia është kujtesë kolektive e në këtë pikë, hija e Esat Pashë Toptanit fillon të endet në sfond. Jo sepse historia është identike. Nuk është. Por sepse sa herë interesi politik i ditës vendoset mbi ndjeshmërinë kombëtare, emri i tij rikthehet vetvetiu si metaforë’’, shkruan Boçi mes të tjerash.

Sipas të dhënave të Censit 2023, në qarkun e Shkodrës janë regjistruar 54 shtetas që janë deklaruar me përkatësi etnike serbe.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër