Shkup, 3 maj, Zhurnal.mk – Përplasjet politike mes Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM) dhe VMRO-DPMNE janë intensifikuar, me akuza të ndërsjella lidhur me rrugëtimin evropian të vendit dhe realizimin e agjendës reformuese.
Nga LSDM theksojnë se meritat për arritjet në procesin eurointegrues i takojnë kësaj partie, ndërsa akuzojnë kryeministrin Hristijan Mickoski se po kërkon alibi për dështimet e mundshme duke fajësuar opozitën për bllokimin e ligjeve reformuese.
Zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska, deklaroi se përgjegjësia për procesin e integrimit evropian bie mbi pushtetin aktual.
“Gjithçka që ndodh në këtë moment është një përpjekje e kryeministrit Mickoski për të gjetur alibi për mos suksesin që do të shihet në qershor. Me shfuqizimin e Qeverisë së Përzhinës, qytetarët panë se kësaj qeverie nuk i nevojitet LSDM. Për ligjet që e afrojnë vendin drejt BE-së, nuk kërkohen votat tona”, deklaroi Kuzeska.
Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE reagoi duke akuzuar LSDM-në për, siç thonë, “pro-evropianizëm vetëm në letër”. Sipas tyre, kjo parti e ka përdorur retorikën evropiane për të justifikuar politikat gjatë kohës sa ishte në pushtet.
Në një reagim publik, përfaqësuesi i VMRO-DPMNE-së, Valentin Manasievski, tha se qëndrimet e LSDM-së nuk përputhen me realitetin politik.
“Kjo është edhe një deklaratë e radhës pa lidhje me realitetin. LSDM deklarohet si proevropiane, por në praktikë vepron ndryshe. Ndryshime kushtetuese pa garanca nuk do të ketë”, u shpreh Manasievski.
Ndërkohë, LSDM ka ngritur akuza edhe për keqpërdorime të mundshme të të ashtuquajturës “kredi hungareze”, duke i bërë thirrje Prokurorisë që të hapë hetime për këtë çështje.
VMRO-DPMNE i ka hedhur poshtë këto akuza, duke theksuar se LSDM, pavarësisht deklarimeve për integrim evropian, vepron në kundërshtim me interesat reale të vendit.
Debati mes dy partive vjen në një periudhë të ndjeshme për procesin eurointegrues të Maqedonisë së Veriut, ndërsa miratimi i reformave kyçe mbetet një nga kushtet kryesore për avancimin drejt Bashkimit Evropian.
