Përsëri refuzohet propozimi për pagë minimale 600 euro

Nga D V
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 01 tetor, Zhurnal.mk – Përsëri u refuzua projektligji i LSDM-së që paga minimale të jetë 600 euro, pasi deputetët e pushtetit në Komisionin për Çështje Ekonomike nuk i dhanë mbështetje zgjidhjes së propozuar ligjore. Më herët, në konferencë për media për këtë çështje, ishte kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, i cili tha se rritja e pagës minimale është e nevojshme për qytetarët në kohë krize.

“Në këtë krizë me çmimet e karburanteve mbi 100 denarë, e cila nuk dihet se edhe sa kohë do të zgjasë, me produkte kaq të shtrenjta, ndërsa ne kemi produkte edhe nga shporta bazë e konsumit më të shtrenjtë se në Gjermani, dhe standardin më të ulët edhe në rajon edhe në Evropë. Qytetarët nuk mund t’ia dalin dot. Asnjë masë, asnjë pako masash në periudhën e kaluar. Do të ketë trazira sociale në shtet nëse pushteti vazhdon të sillet kështu në mënyrë të papërgjegjshme”, tha Filipçe.

Paga minimale aktuale është 26 mijë denarë, që është pak më shumë se gjysma e pagës mesatare, e cila është 48.500 denarë. Filipçe thotë se pushteti, nëse dëshiron, mund të gjejë para.

“Janë bërë përllogaritje, u treguam në konferencën e kaluar për shtyp se nga mund t’i gjejnë paratë. Le të shkurtojnë lukset, udhëtimet, mobiliet dhe veturat dhe paratë në Buxhet mund të gjenden. Dhe le t’i mbështesin kompanitë, të subvencionohen kontributet, në mënyrë që kjo rritje e pagave të mos jetë barrë për kompanitë private dhe pronarët që punojnë”, shtoi ai.

Për këtë projektligj nuk pati reagim nga VMRO-DPMNE, ndërsa as anëtarët e Komisionit nga radhët e pushtetit nuk folën për propozim-zgjidhjen ligjore të opozitës, e cila tashmë për herë të dytë nuk merr mbështetje që në shqyrtimin në komision./Tv21

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër