Ndjesia ekonomike rritet lehtë në shtator/ Ndërtimi mban lart treguesin, bien industria, shërbimet dhe tregtia

Nga Xh M
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 1 tetor Zhurnal.mk – Ndërtimi mban lart ndjesinë ekonomike në Shqipëri ndërsa pjesa tjetër e ekonomisë jep sinjale më të dobëta. Për shtatorin Banka e Shqipërisë bëri të ditur se treguesi i Ndjesisë Ekonomike u rrit me vetëm 0.3 pikë duke qëndruar 7.8 pikë mbi mesataren historike.
Por pas kësaj rritjeje të lehtë fshihen ulje dhe ngritje.

Besimi në ndërtim u rrit me 6.6 pikë përqindjeje i mbështetur si nga vlerësimi për aktivitetin aktual ashtu edhe nga kontratat e reja. Duke bërë kështu që besimi të qëndroi 18 pikë mbi mesataren afatgjatë.

Ndërkohë industria humbi 3.8 pikë, shërbimet 2.4 dhe tregtia 1.8 pikë. Në industri rënia lidhet kryesisht me vlerësimet më pak pozitive për prodhimin. Ndërsa në shërbime, bizneset vlerësojnë më dobët kërkesën dhe aktivitetin aktual.

Për këtë sektor Ministria e Ekonomisë në konferencën e fundit tha se protestat ndikuan në besimin e bizneseve duke shkaktuar dhe anulime në turizëm. Edhe tregtia shënon rënie për të disatin muaj radhë.

Nga ana tjetër konsumatori është më optimist. Besimi i tij u rrit me 2.3 pikë me përmirësim të vlerësimeve për financat personale, ekonominë e vendit dhe blerjet.
Sipas Bankës së Shqipërisë të dhënat e shtatorit tregojnë se klima ekonomike mbetet pozitive megjithëse ritmet e përmirësimit mbështeten kryesisht nga ndërtimi dhe besimi më i lartë i konsumatorëve, ndërsa sektorët e tjerë vijojnë sinjale ngadalësimi.

TREGUESI I NDJESISË EKONOMIKE
(Burimi: Banka e Shqipërisë)

Janar 110.24
Shkurt 107.43
Mars 107.9
Prill 106.22
Maj 107.16
Qershor 106.37
Korrik 105.35
Gusht 107.51
Shtator 107.80

BESIMI NË NDËRTIM
(Burim: Banka e Shqipërisë)
Janar 3.1%
Shkurt -6.5%
Mars -4%
Prill 4.9%
Maj 0.7%
Qershor -0.8
Korrik -4.6%
Gusht +4.7%
Shtator +6.6%

SEKTORËT ME RËNIE TË BESIMIT
(Burim: Banka e Shqipërisë)

Industria -3.8%
Shërbimet -2.4%
Tregtia -1.8%

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër