Përshkallëzohen tensionet në Gji pas sulmeve iraniane ndaj EBA-s dhe kundërpërgjigjes amerikane

Nga D. V.
707 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Uashington, 5 Maj, zhurnal.mk – Tensionet në Gjirin Persik janë përshkallëzuar ndjeshëm – për herë të parë pas gati katër javësh armëpushimi të brishtë – në luftën mes Iranit dhe SHBA-së, pasi Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) raportuan një zjarr të madh në një zonë industriale në qytetin-port Fujairah, pas një sulmi të Iranit me dron.

Ministria e Mbrojtjes e Emirateve njoftoi dje në mbrëmje se sistemet e mbrojtjes ajrore interceptuan 12 raketa balistike, tre raketa kruz dhe katër dronë, ndërsa banorët në disa rajone raportuan se dëgjuan zjarr kundërajror dhe u udhëzuan të kërkonin strehim.

Irani konfirmoi sulmin ndaj objekteve të naftës në Fujairah. Një burim ushtarak, i cituar nga media shtetërore iraniane, deklaroi se operacioni nuk kishte qenë i planifikuar fillimisht dhe ishte shkaktuar nga ajo që u cilësua si “kalim i paligjshëm” i anijeve luftarake amerikane përmes Ngushticës së Hormuzit.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës thanë se kishin shkatërruar disa mjete të vogla detare iraniane.

Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi se shtatë mjete lundruese ishin goditur, ndërsa komandanti i Komandës Qendrore të SHBA-së, admirali Brad Cooper, raportoi fundosjen e gjashtë mjeteve.

Trump tha se operacioni kishte ardhur pas sulmeve iraniane ndaj anijeve neutrale tregtare, përfshirë një anije mallrash të Koresë së Jugut.

Një seri incidentesh që prej fundjavës, ka nxjerrë në pah tensionet në rritje rreth Ngushticës së Hormuzit, një arterie kyçe për tregtinë globale të naftës.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan dje nisjen e një iniciative të quajtur “Project Freedom” për rihapjen e korridorit detar, duke dislokuar shkatërrues detarë në Gjirin Persik, ndërsa dy anije tregtare me flamurin amerikan u larguan nga zona.

Garda Revolucionare iraniane deklaroi se kishte lëshuar disa raketa si paralajmërim ndaj anijeve luftarake amerikane që operonin pranë brigjeve jugore të Iranit.

Media iraniane raportoi gjithashtu se dy raketa kishin goditur një anije amerikane, një pretendim i mohuar nga Uashingtoni.

Emiratet raportuan edhe një tjetër sulm të Iranit me dron ndaj një anijeje cisternë të operuar nga kompania shtetërore energjetike ADNOC, megjithëse nuk u raportuan të plagosur.

Koreja e Jugut bëri të ditur, sipas agjencisë “Yonhap”, se po verifikon raportimet mbi një sulm ndaj një anijeje – të lidhur me një kompani transporti koreano-jugore në Ngushticën e Hormuzit – pas një shpërthimi në bordin e një anijeje me flamur panamez.

Agjencia shtetërore e lajmeve në Oman raportoi gjithashtu për një sulm ndaj një ndërtese banimi në Bukha, përgjatë Ngushticës së Hormuzit, ku mbetën të plagosur disa punëtorë të huaj. Ende nuk është e qartë se kush qëndron pas incidentit.

Çmimet e naftës vijuan rritjen për shkak të tensioneve të reja, ku nafta “Brent” për dorëzim në korrik u rrit në mbi 114 dollarë për fuçi, ndërsa tregtarët shprehën skepticizëm mbi suksesin e përpjekjeve amerikane për sigurimin e korridorit detar.

Bisedimet mes Iranit dhe SHBA-së për të kthyer armëpushimin, i nisur më 8 prill, në një marrëveshje të përhershme kanë ngecur për shkak të mosmarrëveshjeve të thella mbi ambiciet bërthamore të Iranit dhe kontrollin e Ngushticës së Hormuzit.

Para nisjes së konfliktit, rreth një e pesta e naftës dhe gazit të lëngshëm (LNG) – të tregtuar globalisht – kalonte përmes Ngushticës së Hormuzit.

Që prej fillimit të armiqësive, Irani ka bllokuar “de facto” trafikun detar në këtë pikë strategjike përmes kërcënimeve dhe sulmeve, ndërsa SHBA-ja ka vendosur një bllokadë detare ndaj mjeteve që hyjnë ose dalin nga portet iraniane.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër