Starmer dënon sulmet e Iranit ndaj EBA-s, bën thirrje për ulje të tensioneve

Nga D. V.
519 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Londër, 5 Maj, zhurnal.mk – Kryeministri britanik Keir Starmer ka dënuar sulmet e Iranit me dronë dhe raketa ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), duke kërkuar ndalimin e përshkallëzimit dhe angazhim serioz në bisedime për ruajtjen e armëpushimit në Lindjen e Mesme.

Ndërkohë, një komandant ushtarak amerikan deklaroi se forcat e SHBA-së po ndihmojnë në rikthimin e qarkullimit të transportit ndërkombëtar detar, ndërsa akuzoi Iranin se po përpiqet të “terrorizojë dhe kërcënojë” anijet në rajon.

Admirali Brad Cooper, që drejton komandën qendrore tha se ushtria amerikane ka “avantazh të qartë” me një kapacitet të madh ushtarak në Ngushticën e Hormuzit.

Deklarata e tij erdhi pasi SHBA-ja njoftoi se dy anije mallrash me flamurin amerikan kaluan në këtë rrugë ujore të rëndësishme, si pjesë e përpjekjeve të presidentit Donald Trump për të rihapur këtë pikë kyçe detare, mbi të cilën Irani ka vendosur kontroll të fortë.

Mbyllja efektive e kësaj rruge jetike për furnizimin me naftë dhe gaz ka shkaktuar tronditje në ekonominë globale dhe rritje të ndjeshme të çmimeve të energjisë.

Megjithatë, përpjekjet për të rikthyer lëvizjen detare dhe për të liruar rreth 2 000 anije të bllokuara kanë lëkundur armëpushimin e brishtë në rajon.

Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) deklaruan se janë sulmuar për herë të parë që nga hyrja në fuqi e armëpushimit në fillim të prillit.

Sulmi i Iranit me dron shkaktoi zjarr në një objekt kyç nafte, ndërsa u raportua se dy anije mallrash u përfshinë nga flakët pranë brigjeve të vendit.

Ushtria amerikane bëri të ditur se ka shkatërruar gjashtë mjete të vogla detare iraniane dhe ka neutralizuar raketa kruz dhe dronë të lëshuar nga Teherani.

“Britania e Madhe dënon sulmet me dronë dhe raketa që synojnë Emiratet e Bashkuara Arabe. Stabiliteti në Gjirin Persik ndikon drejtpërdrejt në BM. Ne qëndrojmë në solidaritet me Emiratet dhe do të vazhdojmë të mbështesim mbrojtjen e partnerëve tanë në rajon”, tha Starmer.

Ai theksoi se përshkallëzimi duhet të ndalet dhe se Irani duhet të angazhohet në mënyrë domethënëse në negociata për të siguruar që armëpushimi të qëndrojë dhe të arrihet një zgjidhje afatgjatë diplomatike.

Ndërkohë, Teherani ka kundërshtuar pretendimet amerikane për fundosjen e mjeteve të tij dhe ka paralajmëruar se çdo anije duhet të marrë leje për të kaluar në Ngushticën e Hormuzit.

Pavarësisht tensioneve në rritje dhe rrezikut për përplasje të reja, Trump deklaroi se situata “po shkon shumë mirë”, duke përsëritur se Iranit nuk duhet t’i lejohet prodhimi i armëve bërthamore dhe se çmimet e naftës pritet të bien pas përfundimit të krizës.

Presidenti amerikan bëri të ditur gjithashtu se po shqyrton një propozim të ri nga Irani për t’i dhënë fund konfliktit, por shprehu dyshime për arritjen e një marrëveshjeje.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër