Personi i lindur në Gjermani do të dëbohet në Maqedoninë e Veriut pas mashtrimeve me “telefonata shoku”

Nga Xh M
891 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Berlin, 30 korrik Zhurnal.mk – Një person i lindur dhe i rritur në Gjermani, me origjinë nga Maqedonia e Veriut, i dënuar me disa vite burgim për shkak të mashtrimeve, nuk pati sukses me padinë e tij kundër dëbimit.

Gjykata Administrative në Augsburg vendosi se personi mund të dëbohet në Maqedoninë e Veriut, edhe pse ka lindur dhe është rritur në Gjermani. Sipas të dhënave të Shërbimit për të Huajt, shteti i tij i origjinës është Maqedonia e Veriut.

​Paditësi në vitin 2019 i ishte bashkuar një grupi kriminal të huaj, i cili mashtronte persona të moshuar përmes të ashtuquajturave “telefonata shoku”.

Personat që telefononin prezantoheshin si zyrtarë policorë dhe me histori të trilluara arrinin t’i detyronin pensionistët e frikësuar t’i dorëzonin një korrieri para dhe sende me vlerë. Brenda vetëm pak javësh, grupi në këtë mënyrë kishte mashtruar dymbëdhjetë persona të moshuar për pothuajse një milion euro.
​Paditësi me këtë rast vepronte si korrier, e transportonte prenë jashtë vendit dhe merrte nga 1.500 euro për çdo rast mashtrimi. Për shkak të mashtrimit të organizuar të kryer në kuadër të një grupi kriminal, ai tani është duke vuajtur një dënim me burg prej gjashtë vitesh e nëntë muajsh.

​Dëbimi duhet të parandalojë edhe imituesit e mundshëm
​Për shkak të vendimit, Shërbimi për të Huajt ka urdhëruar dëbimin e burrit.
​”Gjykata Administrative e konfirmoi vendimin duke pasur parasysh peshën e veprave penale, dëmin e madh material, kryerjen e veprave duke shfrytëzuar frikën te personat e moshuar dhe dëmtimin e besimit të tyre te policia”, deklaroi një zëdhënës i gjykatës.

​Sipas gjykatës, dëbimi është i arsyetuar edhe si një masë parandaluese për kryerësit e mundshëm të ardhshëm të veprave të ngjashme penale.

​Vendimi ende nuk është i plotfuqishëm. Paditësi mund të parashtrojë kërkesë për lejim të ankesës pranë Gjykatës së Lartë Administrative të Bavarisë në Mynih.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër