Petrit Saraçini: Humbja e LSDM-së e riktheu “botën serbe” në piedestal!

Nga I.A
478 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 19 gusht, Zhurnal.mk – Përpjekja e pushtetit të mëparshëm, gjatë periudhës 2017–2024, për t’u shkëputur nga konceptet e vjetra gjeopolitike përfundoi me një humbje katastrofale në zgjedhje, e cila sërish e riktheu “botën serbe” në piedestalin politik në vend, theksoi Petrit Saraçini në analizën e tij më të fundit për zhvillimet politike.

Duke analizuar rezultatet e zgjedhjeve dhe klimën aktuale politike, Saraçini vuri në dukje se politikat e ndjekura gjatë shtatë viteve të fundit nuk kanë arritur ta çlirojnë plotësisht shtetin nga ndikimet e rrënjosura të jashtme.

“Për një periudhë, kur LSDM-ja ishte në pushtet, pra gjatë viteve 2017–2024, u përpoq të shkëputej nga ai koncept dhe pamë se si kjo, në fund, rezultoi me shifra katastrofale në zgjedhje dhe me një humbje që e riktheu sërish botën serbe në piedestal”, thotë Saraçini.

Më tej, ai iu referua drejtpërdrejt edhe ndikimit mbi VMRO-DPMNE-në, duke theksuar se kjo gjendje paraqet vazhdimësi që nga koha e udhëheqjeve të mëparshme, për të cilën, sipas tij, dëshmi vijnë edhe nga bashkësia ndërkombëtare.

“Për VMRO-DPMNE-në nuk dua të flas më shumë, sepse ndikimi, si më parë gjatë regjimit të Gruevskit, ashtu edhe tani, është i dukshëm. Për këtë flasin raportet e Komisionit Evropian dhe raporti i Vajzit, i cili qartë thotë se Hungaria dhe Serbia kanë ndikim të fuqishëm mbi Maqedoninë”, shton Saraçini.

Sipas tij, pikërisht ky ndikim i fuqishëm i huaj është arsyeja kryesore që reflektohet drejtpërdrejt në stagnimin e shtetit dhe në bllokimin e të gjithë procesit të integrimit evropian.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër