Gazetari britanik Piers Morgan ka reaguar për situatën e krijuar rreth Cristiano Ronaldos dhe trajnerit të Portugalisë, Jorge Jesus, duke zbuluar prapaskenat që, sipas tij, çuan në largimin e yllit portugez nga grumbullimi i kombëtares.
Morgan ka insistuar se çështja nuk ka të bëjë me para, famë apo status, por me respektin dhe premtimet që, sipas tij, i ishin bërë Ronaldos për mënyrën se si do të menaxhohej minutazhi i tij me Portugalinë.
“Asgjë nga këto nuk ka të bëjë me paratë, famën apo diçka të tillë. Atij iu dhanë garanci të qarta se si do të përdorej. Kjo ishte një nga arsyet pse vendosi të vazhdonte karrierën me kombëtaren. Trajneri i ri, Jorge Jesus, i tha: ‘Ja çfarë dua që të bësh’”, deklaroi Morgan.
Sipas gazetarit, marrëveshja mes Ronaldos dhe Jesus ishte që sulmuesi të luante dy ndeshjet e para, ndërsa më pas të merrte pushim në dy takimet e radhës.
“Në ndeshjen e parë, atij iu tha se do të luante 90 minuta. Kjo ishte marrëveshja mes trajnerit dhe lojtarit dhe është e rëndësishme të kujtohet statusi i futbollistit për të cilin po flasim. Por ai u zëvendësua në minutën e 67-të, ndaj ishte disi i zemëruar”, tregoi Morgan.
Ai shtoi se Jesus më pas i kërkoi falje Ronaldos, madje edhe presidentit të Federatës së Futbollit të Portugalisë, duke premtuar se do të dilte publikisht për të shpjeguar situatën.
“Por ai bëri të kundërtën. Doli dhe u përpoq ta minimizonte Ronaldon dhe ta vendoste në vendin e tij, duke thënë se të gjithë lojtarët janë të rëndësishëm për të. Kjo e zemëroi edhe më shumë Ronaldon”, tha Morgan.
Sipas tij, më pas Jesus i kërkoi Ronaldos të luante rreth 30 minuta në ndeshjen ndaj Norvegjisë, pavarësisht marrëveshjes së mëparshme për t’i dhënë pushim.
“Trajneri i tha: ‘E di që ramë dakord të të japim pushim në dy ndeshjet e ardhshme, por dua të luash 30 minuta ndaj Norvegjisë’. Ronaldo iu përgjigj: ‘Në rregull, nëse këtë dëshiron, do ta bëj’”, rrëfeu Morgan.
Megjithatë, situata mori një tjetër drejtim. Ronaldo u nxeh për rreth 25 minuta gjatë ndeshjes ndaj Norvegjisë, por në fund nuk u aktivizua fare.
“Ronaldo u nxeh për 25 minuta, por nuk hyri kurrë në fushë. Prandaj ishte i irrituar nga mungesa e respektit dhe nga fakti që trajneri nuk e mbajti fjalën”, theksoi Morgan.
Sipas gazetarit britanik, për Ronaldon kjo ishte mbi të gjitha një çështje respekti.
“Atij iu premtua një gjë, por ndodhi e kundërta. U nxeh, por nuk u përdor fare, gjë që ai e pa si një shenjë të madhe mosrespekti. Në fund, ai tha ‘në dreq me ty’, hipi në avion dhe u largua”, deklaroi Morgan.
Morgan shtoi se Ronaldo është i bindur se Jesus kishte një qasje të ndryshme në prapaskenë nga ajo që shfaqte publikisht në konferencat për media.
“Argumenti i tij është se ky trajner vazhdonte të dilte në konferenca për shtyp dhe të thoshte diçka krejtësisht të kundërt me atë që i thoshte Ronaldos prapa dyerve të mbyllura”, përfundoi Morgan.


