Pikëpyetje për votat e LDK-së për presidentin, dyshime në unitetin e deputetëve

Nga I.A
830 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 15 korrik, Zhurnal.mk – Zhvillimet e fundit brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës po shihen si një faktor që mund të ndikojë në procesin e krijimit të institucioneve të reja, veçanërisht në zgjedhjen e presidentit të Republikës.

Pavarësisht takimit mbi dy orësh ndërmjet kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, mbetet e hapur çështja nëse Abdixhiku do t’i ketë pas vetes të gjithë 18 deputetët e grupit parlamentar të kësaj partie në procesin e zgjedhjes së presidentit.

Ndërkohë, brenda LDK-së është diskutuar mundësia e thirrjes së një Kuvendi të jashtëzakonshëm për votëbesim ndaj kryetarit Lumir Abdixhiku, zhvillim që ka shtuar debatet për gjendjen e brendshme të kësaj partie.

Në Lëvizjen Vetëvendosje thonë se zhvillimet brenda LDK-së mund të ndikojnë drejtpërdrejt në procesin e zgjedhjes së presidentit, duke ngritur pikëpyetje për unitetin e deputetëve të kësaj partie.

Deputeti i zgjedhur i LVV-së, Adnan Rrustemi, ka deklaruar se deputetët e LDK-së nuk janë plotësisht homogjenë sa i përket qëndrimeve për krijimin e institucioneve.

Nga ana tjetër, në LDK insistojnë se nuk ka ndarje në qëndrime dhe se kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, përfaqëson qëndrimin e përbashkët të deputetëve.

Sekretari i LDK-së, Ilir Ferati, ka thënë se vendimet politike për diskutimet me LVV-në janë përcaktuar në organet e partisë para takimit me Kurtin.

Ndërkohë, analisti politik Blerim Canaj vlerëson se, pavarësisht qëndrimit zyrtar të LDK-së, kryetari i kësaj partie nuk i ka të sigurta të gjitha votat e grupit parlamentar për një proces të rëndësishëm siç është zgjedhja e presidentit.

Sipas tij, në një marrëveshje të mundshme ndërmjet LDK-së dhe LVV-së, mbështetja nga deputetët e LDK-së mund të jetë më e kufizuar.

Lideri i LVV-së, njëherësh kryeministër në detyrë, Albin Kurti, më 10 korrik është takuar ndaras me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abidixhiku për të diskutuar për formimin e institucioneve të reja.

Ani pse nuk pati ndonjë marrëveshje sipas Kurtit takimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.

Këto takime erdhën pasi KQZ-së certifikoi rezultatin e zgjedhjeve më 8 korrik. Nga këto zgjedhje, parti e parë ka dalë Lëvizja Vetëvendosje me 47.13%, apo 53 ulëse në Kuvend.

E dyta, Partia Demokratike e Kosovës, me 19.44%, apo 22 deputetë. Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës, me 16.69%, ka fituar 18 ulëse, si dhe Aleanca, me 6.74%, shtatë ulëse.

Kurse komunitetet joshumicë kanë siguruar 20 ulëse.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër