PLD i kërkoi Qeverisë të distancohet nga glorifikimi i Ratko Mlladiqit: Nuk ka vend për madhështimin e personave të dënuar për gjenocid

Nga Xh M
891 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 29 gusht Zhurnal.mk – Partia Liberal-Demokrate (PLD) kërkoi nga Qeveria të distancohet publikisht dhe pa mëdyshje nga, siç thonë ata, glorifikimi i Ratko Mlladiqit, i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Nga partia thonë se kjo nuk është çështje e një qëndrimi politik apo e përkatësisë kombëtare, por e respektimit të fakteve të përcaktuara me vendime të formës së prerë.

“Për gjenocidin nuk ka ‘një anë tjetër të historisë’ kur faktet janë përcaktuar me aktgjykime të formës së prerë të gjykatave ndërkombëtare”, thonë nga PLD.

Sipas partisë, veçanërisht e papranueshme është që glorifikimi të lidhet me bartës të funksioneve të larta shtetërore. PLD kërkon që Qeveria të distancohet nga veprimet e ministrit të Vetëqeverisjes Lokale dhe drejtorit të Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve, si dhe të përcaktojë përgjegjësinë politike.

“Nuk mundet Maqedonia para Brukselit të thirret në vlerat evropiane, ndërsa brenda vendit Qeveria të heshtë kur zyrtarët e saj marrin pjesë në madhështimin e një personi të dënuar për gjenocid”, theksojnë nga PLD.

Partia kërkon që rasti të shqyrtohet edhe nga aspekti i përgjegjësisë eventuale penale. Nga PLD i referohen nenit 407-a të Kodit Penal, i cili lidhet me mohimin publik, minimizimin e rëndë, miratimin ose justifikimin e gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës përmes një sistemi informativ.

Prandaj, LDP kërkon që Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria Publike, në kuadër të kompetencave të tyre, të hetojnë sipas detyrës zyrtare të gjitha publikimet, deklaratat dhe veprimet që lidhen me rastin dhe, nëse plotësohen kushtet ligjore, të veprojnë në përputhje me Kodin Penal.

“Funksioni shtetëror nuk duhet të jetë mburojë ndaj ligjit”, porositën nga partia.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër