Tiranë, 30 qershor, Zhurnal.mk – Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, gjatë fjalës së tij në Kuvend tha se protesta është privatizuar.
Gjatë fjalës së tij, ai foli edhe për rolin e parlamentarizmit dhe votës në përcaktimin e shumicës dhe pakicës politike.
Dëgjova deputetin tuaj, që në një lojë fjalësh për forcat politike ra në kurthin e harresës mbi faktin që sot në krye të PD është një sekretar partie. I vetmi sekretar partie në krye të një partie në Shqipëri. Edhe varkëtari i varkës së diktatorit Enver Hoxha, që gëzohej kur i jepte dorën.
Shumë nga ju gëzoni kur dëgjoni thirrjet “Berisha në burg”, se e shihni si shpëtimin e vetëm nga Saliu. Ka mes jush që doni të shpëtoni nga Saliu, thoni “inshalla na e heq protesta Saliun”. Një gjë protesta ia arriti, ju protesta ju mundi, ne protesta nuk na mund dot. PS nuk e mund dot askush.
Ju jeni të gatshëm për të duruar këdo, mjafton të jetë kundër nesh. Pse i sulmoni protestuesit rreth e rrotull? Transparenca është gjëja më e mirë. U shqetësuat ju për të mbështetur njëfarë Dritan Goxha, po u them që s’ka asnjë ditë në UÇK. Një dokument i vënë në dispozicion nga veteranët e UÇK-së, e morët dhe aq të paudhë jeni, sa u munduat ta përdornit për hesapet politike. U them protestuesve: mos lejoni t’ju vjedhin protestën.
Shqipëria u përfshi në një luftë digjitale ndërkombëtare pa qenë objekt real i kësaj.
Regjimi iranian është kokë e këmbë i përfshirë. Ndërsa aktorë të tjerë të huaj po kontribuojnë për financuar këto lloj luftërash hibride. Në protestë janë përzier motra e vëllezër nga Kosova, Shkupi, që u mobilizuan mes valës së dezinformimit dhe jo për përfshirjes së forcave politike, të paktën deri tani.
Sindroma e Stokholmit është një sindromë që vështirësisht shërohet. Mendoni se kjo protestë mund t’ju shpëtojë? E vërteta është e kundërta. PD është në nivelin e saj më të ulët historik. Nëse zgjedhjet janë nesër, PD vjen as me gjysmën e deputetëve që ka sot.
Kjo protestë po identifikohet me një protestë që ka në vetvete përpjekjen për të fshehur arsyen pse lindi kjo protestë. Kjo s’bën asnjë punë dhe nuk e shpëton PD-në, edhe sikur në krye të dalë Saliu.
Nga kjo protestë s’do të lindë dot një PD e re. Për ne, falë Zotit, PS është parti e re.
