Policia sekuestron 2,7 tonë kokainë, sasia më e madhe e kapur në historinë e vendit

Nga D V
591 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Sidnej, 22 qershor, Zhurnal.mk – Policia australiane ka realizuar sekuestrimin më të madh të kokainës në historinë e vendit duke zbuluar 2,7 tonë drogë të fshehur në bunkerë nëntokësorë në perëndim të Sidnejit.

Autoritetet njoftuan se droga u gjet gjatë një kontrolli në një pronë rurale në zonën e Londonderry, rreth 60 kilometra në veriperëndim të qendrës së Sidnejit.

Sipas Policisë Federale Australiane, kokaina ishte fshehur në kuti plastike të futura në bunkerë të maskuar poshtë dyshemeve të rreme në tre kontejnerë transporti.

Vlera e saj në tregun e paligjshëm vlerësohet në rreth 816 milionë dollarë australianë (571 milionë dollarë amerikanë), ekuivalente me afro tre milionë doza të shitura në rrugë.

Dy persona, 21 dhe 25 vjeç, u arrestuan pasi tentuan të largoheshin në këmbë.

Ata akuzohen për posedim të një sasie tregtare droge të importuar në mënyrë të paligjshme, vepër penale që mund të dënohet deri me burgim të përjetshëm.

Hetuesit dyshojnë se kokaina është futur në Australi pranë zonës së Midge Point në Kuinslandin Verior dhe më pas është transportuar drejt Sidnejit me urdhër të një grupi të krimit të organizuar.

Autoritetet thanë se hetimet për rrjetin kriminal vazhdojnë.

Ky operacion është pjesë e një hetimi më të gjerë që më herët çoi në sekuestrimin e 178 kilogramëve kokainë dhe 142 kilogramëve metamfetaminë, duke e çuar sasinë totale të drogës së kapur në mbi tre ton.

Arrestimi vjen në një kohë kur raportet tregojnë se konsumi i kokainës në Australi ka arritur nivele rekord gjatë viteve të fundit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër