Shkup, 12 gusht, Zhurnal.mk – Një nga elementet më të rëndësishme të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit është kapaciteti i saj për të mundësuar zgjidhjen paqësore të konflikteve, mosmarrëveshjeve dhe pakënaqësive, vlerëson profesori universitar dhe ish-diplomati Aziz Pollozhani.
Duke folur në kuadër të shënimit të 25-vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, Pollozhani theksoi se marrëveshja krijoi mekanizma që mundësojnë adresimin institucional të çështjeve që lidhen me komunitetet joshumicë.
“Një nga elementet e rëndësishme të Marrëveshjes së Ohrit është se ka kapacitetin që edhe konfliktet, mosmarrëveshjet apo pakënaqësitë e tjera të mundshme të zgjidhen në rrugë paqësore”, tha Pollozhani.
Sipas tij, Marrëveshja e Ohrit krijoi instrumente për promovimin dhe miratimin e politikave që synojnë mbrojtjen e komuniteteve joshumicë.
“Marrëveshja e Ohrit krijoi instrumentet që mundësonin promovimin, propozimin dhe aprovimin e elementeve të cilat janë në funksion të mbrojtjes së komuniteteve joshumicë”, u shpreh ai.
Pollozhani theksoi se qëllimi kryesor i këtyre mekanizmave ishte parandalimi i përsëritjes së situatës që në vitin 2001 e çoi vendin drejt konfliktit të armatosur.
“Qëllimi madhor është që të mos përsëritet ajo që e solli Maqedoninë në buzë të greminës, me thellimin e konfliktit”, deklaroi Pollozhani.
