Viktorija Trajkov: Marrëveshja e Ohrit është e lidhur ngushtë me integrimin evropian të vendit

Nga D. V.
624 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 12 gusht, Zhurnal.mk – Zëvendësministrja për Çështje Evropiane, Viktorija Trajkov, ka theksuar rëndësinë e parimeve të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit në ndërtimin e një shteti evropian dhe stabilitetin institucional të Maqedonisë së Veriut.

Duke folur në kuadër të shënimit të 25-vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, Trajkov tha se koncepti evropian është i ndërtuar kryesisht mbi parime që synojnë barazi, stabilitet dhe besim të qytetarëve ndaj institucioneve.

“Ajo që me të vërtetë dua ta potencoj si zëvendësministre e Çështjeve Evropiane është pikërisht koncepti i Evropës, i cili kryesisht është i ndërtuar nën parimet e Marrëveshjes së Ohrit”, deklaroi Trajkov.

Sipas saj, një shtet stabil nuk vlerësohet vetëm nga numri i ligjeve të miratuara, por nga mënyra se si qytetarët e përjetojnë shtetin dhe institucionet e tij.

“Një shtet stabil nuk matet me numrin e ligjeve të sjella, por me besimin e qytetarëve ndaj institucioneve, me të drejtat e barabarta të qytetarëve, shërbimet cilësore dhe ndjenjën se shteti është shtëpia e përbashkët”, tha ajo.

Trajkov theksoi se pikërisht këto parime krijojnë lidhjen ndërmjet Marrëveshjes së Ohrit dhe procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.

“Pra, kjo është ajo ndërlidhja ndërmjet Marrëveshjes së Ohrit dhe integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut”, përfundoi Trajkov.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër