Kuvendi i Shqipërisë ka nisur shqyrtimin maratonë të Projektligjit “Për buxhetin e vitit 2026”, ku katër komisione parlamentare zhvilluan seanca me Ministrin e Financave, Petrit Malaj, dhe Zëvendësministrin Endrit Yzeiraj.
Komisionet për të Drejtat e Njeriut, Çështjet Ligjore dhe Administrata Publike, si dhe ai i Ekonomisë, Punësimit dhe Financave (komisioni përgjegjës) nisën shqyrtimin, ndërsa dy të parët e miratuan projektligjin në parim.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, prezantoi te Komisioni për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural dhe Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, detajet e buxhetit, duke theksuar se ai ruan ekuilibrin mes qëndrueshmërisë fiskale dhe zhvillimit social e ekonomik.
Shifrat kryesore të projektbuxhetit 2026
Shpenzimet totale parashikohen në 886.7 miliardë lekë (31.9% e PBB), me një rritje prej rreth 55 miliardë lekësh krahasuar me vitin 2025.
Ndërsa të ardhurat buxhetore planifikohen në 823.1 miliardë lekë (29.6% e PBB), pa rritje taksash.
Lidhur me deficitin buxhetor, parashikohet të mbahet në nivelin e ulët prej 2.3% të PBB-së, sipas vlerësimit të Bankës së Shqipërisë.
Relatori i Komisionit të Bujqësisë, Fadil Nasufi, e cilësoi këtë buxhet si më të madhin në historinë e shtetit shqiptar, duke theksuar se 50% e tij përbëhet nga shpenzimet për paga dhe pensione.
Prioritetet sociale dhe fiskale
Ministri Malaj theksoi se buxheti 2026 ka fokus të fortë social, me këto angazhime kryesore:
Reforma e pensioneve
Nis në janar 2026 me një efekt financiar prej 10.4 miliardë lekësh.
Rritja e pagës minimale
Rritet me 10,000 lekë, duke arritur në 50,000 lekë nga 1 janari 2026, me synimin për të arritur 70,000 lekë deri në fund të mandatit.
Lehtësimi fiskal
Nuk parashikohet asnjë taksë e re. Zbatohet kompensimi i TVSH-së për fermerët në masën 10% (rreth 1.5 miliardë lekë) dhe rivlerësimi i pasurive të paluajtshme me normë 5%.
Sektori i drejtësisë
Parashikohen rreth 28.8 miliardë lekë, me fokus në rritjen e shpenzimeve të personelit dhe investimet në SPAK, ICMIS dhe institucionet e rehabilitimit.
Investimet
Investimet publike do të jenë mesatarisht 6.5% e PBB-së, të përqendruara në projekte strategjike të lidhura me Planin e Rritjes së BE-së.
Opinioni i Bankës së Shqipërisë
Në Komisionin e Ekonomisë, Zëvendësguvernatorja e Parë e BSH-së, Luljeta Minxhozi, vlerësoi pozitivisht Projektbuxhetin 2026, duke theksuar se ai ruan një konsolidim gradual, i cili manifeshtohet përmes një deficiti të ulët buxhetor dhe uljes së mëtejshme të borxhit publik.
Ajo sugjeroi rekomandime si forcimi i administratës tatimore, rishikimi i skemës së pensioneve për të përballuar sfidat demografike dhe forcimi i kapaciteteve për menaxhimin e PPP-ve.
