Pse antibiotikët nuk bëjnë efekt kundër gripit dhe ftohjes?

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Antibiotikët nuk janë zgjidhje për çdo infeksion. Gripi, ftohjet dhe shumica e dhimbjeve të fytit shkaktohen nga viruset, ndaj këto ilaçe nuk kanë efekt kundër tyre.

Përkundrazi, përdorimi i panevojshëm mund të sjellë pasoja serioze për shëndetin.

Paralajmërimi lidhet me rritjen e rezistencës së baktereve ndaj antibiotikëve, duke i bërë infeksionet gjithnjë e më të vështira për t’u trajtuar.

Sipas OBSH-së, antibiotikët përdoren për infeksione bakteriale, si pneumonia, tuberkulozi dhe infeksionet e gjakut.

Ata nuk veprojnë kundër viruseve që shkaktojnë gripin, ftohjet dhe bronkitin. Në këto raste, marrja e tyre jo vetëm që nuk ndihmon në shërim, por mund të rrisë rrezikun e zhvillimit të infeksioneve rezistente në të ardhmen.

Shifrat janë shqetësuese. Sipas raportit global të OBSH-së, në vitin 2023, një në gjashtë infeksione bakteriale të konfirmuara në laborator ishte rezistent ndaj trajtimit me antibiotikë.

Ndërsa mes viteve 2018 dhe 2023, rezistenca u rrit në më shumë se 40 për qind të kombinimeve bakter-antibiotik të monitoruara.

Për të shmangur këtë problem, OBSH këshillon që antibiotikët të merren vetëm me përshkrimin e mjekut dhe për infeksione bakteriale.

Qytetarët nuk duhet t’i blejnë pa recetë, t’i përdorin me iniciativën e tyre apo të presin që të përshkruhen për çdo ftohje dhe infeksion të rrugëve të frymëmarrjes.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër