PSG në finale, Kvaratskhelia: Ndeshja më e madhe e jetës sonë, do të japim gjithçka

Nga D. V.
629 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Paris Saint-Germain ka siguruar kualifikimin në finalen e Ligës së Kampionëve, pasi eliminoi Bayern Munichun në gjysmëfinale. Pas ndeshjes, Khvicha Kvaratskhelia e vlerësoi maksimalisht suksesin e ekipit dhe e pranoi se përballja me kampionët gjermanë ishte prova më e vështirë e sezonit.

“Jemi shumë të lumtur që jemi në finale. E dimë që do të jetë e vështirë ndaj Arsenalit. Bayern është një nga skuadrat më të mira për momentin, ishte shumë e vështirë, sfida më e fortë e sezonit. Ne treguam se mund të luajmë kundër skuadrave të tilla”, deklaroi ai.

Sulmuesi gjeorgjian theksoi edhe krenarinë e grupit për një tjetër arritje madhore dhe e cilësoi finalen si ndeshjen më të rëndësishme të karrierës për të gjithë lojtarët.

“Jemi shumë krenarë që ia dolëm sërish. Duhet të jemi gati për finale, është ndeshja më e madhe e jetës sonë dhe do të japim gjithçka për këtë klub”, u shpreh Kvaratskhelia.

Ai foli gjithashtu për aksionin e golit të PSG-së, duke nënvizuar se goli i hershëm e ndryshoi rrjedhën e ndeshjes dhe i dha skuadrës qetësinë e nevojshme.

“Mendoj se ishte shumë e rëndësishme që goli u shënua shumë shpejt. Pashë që Dembele ishte i vetëm dhe thjesht duhej t’ia jepja topin. Ai realizoi një përfundim shumë të mirë. Jemi krenarë për të dhe për gjithë skuadrën, sepse luftuam sonte dhe fryma e ekipit ishte e jashtëzakonshme”, shtoi ai.

Në finalen e Ligës së Kampionëve, PSG do të përballet me Arsenalin, një tjetër kundërshtar nga Liga Premier, e pesta skuadër angleze që parizienët e kanë pasur përballë këtë sezon.

“Ne i respektojmë të gjitha skuadrat. Për ne është e rëndësishme të luajmë lojën tonë. Nuk mendojmë shumë se kush do të jetë kundërshtari, thjesht përgatitim lojën tonë dhe japim gjithçka në fushë”.

“Do të jetë e vështirë, është finalja e Ligës së Kampionëve dhe ne thjesht duhet të shkojmë ta shijojmë”, përfundoi ai.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër