Shkup, 12 korrik Zhurnal.mk – Mungesa e aktivitetit fizik dhe koha e tepërt e shpenzuar në rrjetet sociale, i çon të rinjtë deri te dhuna në mes vete, thotë psikologia Ajla Bilalli. Sipas saj, vetë dhunuesi duhet të shikohet si rast për trajtim, pasi ai në të kaluarën e tij ka qenë viktimë e dikujt tjetër.
Bilalli theksoi se dhunuesi gjithmonë dëshiron të ketë favore në shoqëri për të qenë më i forti. Psikologia thekson se punën më të madhe e ka familja për të punuar me ta, duke i dëgjuar, përkujdesur për anën emocionale, e pastaj kyçen shkollat, Qendrat e Shëndetit Mendor dhe institucionet tjera kompetente.
Periudhën e fundit në Maqedoni ka ndodhur disa raste të rënda të dhunës mes të rinjve nën 18 vjeç.Sipas UNICEF-it, në Maqedoninë e Veriut, 23% e të rinjve të moshës 13 deri në 15 vjeç kanë raportuar se janë përballur me bullizëm nga bashkëmoshatarët të paktën një herë gjatë muajve të fundit, ndërsa raportet e institucioneve tregojnë për qindra raste të regjistruara të fëmijëve viktima të dhunës seksuale. Po ashtu, UNICEF ka publikuar se më shumë se dy të tretat e fëmijëve të moshës 1 deri në 14 vjeç përjetojnë disiplinë të dhunshme në familje, përfshirë agresion psikologjik dhe/ose ndëshkim fizik.
UNICEF u ka bërë thirrje institucioneve për forcimin e mbrojtjes ligjore, mbështetjen e prindërve, trajnimin e stafit në shkolla për identifikimin e hershëm të dhunës dhe rritjen e sigurisë së fëmijëve edhe në hapësirën online.
