Puna praktike për studentët një hallkë e munguar po bëhet realitet në ndërtimin e kuadrove profesionale!

Nga I.A
1,032 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 7 korrik, Zhurnal.mk – Prej shumë vitesh arsimi në Maqedoninë e Veriut prodhon më shumë diploma sesa profesionistë këtë e thonë shumica dërrmuese, madje edhe persona me përgjegjësi politike. Një deputet në një paraqitje mediatike pati deklaruar se studentët tanë nuk dinë të plotësojnë një formular. Shkollat e mesme dhe universitetet vazhdojnë të funksionojnë me logjikën e mësimit teorik, ndërsa tregu i punës kërkon aftësi praktike, përvojë reale dhe kompetenca të matshme. Ky hendek mes dijes dhe praktikës ka qenë një nga shkaqet kryesore të papunësisë së të rinjve, emigrimit dhe mungesës së kuadrove të specializuara në administratë dhe sektorin publik. Pikërisht në këtë kontekst, programi i ri “Muaj të praktikës”, i paralajmëruar nga kjo qeveri vjen si një përpjekje për të mbushur një boshllëk të kahershëm, shkruan Zhurnal.

Studentët në gusht dhe në shtator do të përfshihen në punën e komunave në kuadër të programit “muaj të praktikës”

Përmes programës “Muaj të praktikës”, e cila do të zbatohet në bashkëpunim me universitetet shtetërore, sipas njoftimeve të partisë në pushtet, studentët do të kenë mundësi të përfshihen në punën e administratave komunale. Agjencia INOVA do ta koordinojë përfshirjen e studentëve, ndërsa Ministria e Vetëqeverisjes Lokale, përmes Qendrës së Burimeve për Mbështetjen e Komunave dhe memorandumit të bashkëpunimit me universitetet, do ta organizojë punën praktike në përputhje me nevojat e komunave.

Përveç kësaj, nga qeveria theksojnë se përmes programeve të granteve të INOVA‑s do të mbështeten startup‑et, kompanitë inovative dhe ndërmarrësit për zhvillimin e zgjidhjeve për komunat.

E nuk do mend që kjo qasje synon të krijojë një sistem funksional ku universitetet nuk mbeten të shkëputura nga realiteti, komunat nuk mbeten pa kuadro të rinj dhe sektorët inovativë nuk mbeten pa mbështetje institucionale. Në teori, modeli është i qëndrueshëm studentët marrin përvojë, komunat marrin energji të re profesionale, ndërsa shteti krijon një mekanizëm të ri për zhvillimin e kapaciteteve lokale.

Cilat mund të jenë sfidat e zbatimit të kësaj ideje?

Për të qenë efektiv programi duhet të përballet me disa sfida të rëndësishme. Së pari, komunat nuk kanë kapacitete të barabarta. Disa prej tyre vuajnë nga mungesa e stafit profesional, çka e vështirëson mentorimin e studentëve. Së dyti, praktika duhet të ketë përmbajtje të qartë detyra, përgjegjësi, vlerësim dhe raportim. Pa këto elemente rrezikon të kthehet në një formalitet administrativ.

Dhe, së treti përzgjedhja e studentëve duhet të jetë transparente dhe meritore. Çdo dyshim për ndikim partiak do ta dëmtonte rëndë besueshmërinë e programit. Së fundi, universitetet duhet ta integrojnë praktikën në kurrikulat e tyre, në mënyrë që ajo të mos mbetet një aktivitet i izoluar, por pjesë e procesit arsimor.

Përkundër sfidave, kjo ide kur do të kalojë në vepër bëhet kryevepër

Megjithë sfidat, programi “Muaj të praktikës” ka potencial të madh transformues. Kjo ide mund të shërbejë si model për reforma më të gjera në arsimin e lartë, duke e bërë praktikën pjesë të pandashme të formimit profesional. Mund të krijojë një kulturë të re në administratën lokale, ku të rinjtë nuk shihen si vizitorë, por si kontribuues. Mund të nxisë inovacionin në komuna, përmes ideve të reja që studentët sjellin.

Nëse programi zgjerohet, institucionalizohet dhe monitorohet me seriozitet, ai mund të shndërrohet në një mekanizëm të qëndrueshëm për ndërtimin e kuadrove profesionale, duke e bërë administratën më efikase dhe shërbimet publike më cilësore.

Puna praktike nuk është luks, por domosdoshmëri. Ajo është ura që lidh teorinë me realitetin, shkollën me punën, të rinjtë me të ardhmen e tyre. Programi “Muaj të praktikës” është një hap i vonuar por shumë i rëndësishëm.

Kujtojmë që, nëse ky program shndërrohet në standard kombëtar, atëherë Maqedonia e Veriut mund të fillojë më në fund të ndërtojë kuadro profesionale në mënyrë sistematike dhe ky është një investim që i shërben jo vetëm të rinjve por në afatgjatë gjithë shtetit. /Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër