Shkup, 20 nëntor, Zhurnal.mk – Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, dhe rektori i Universitetit Trakia nga Edreneja, prof. dr. Mustafa Hatipler, nënshkruan sot në Shkup një protokoll bashkëpunimi në fushën e shëndetësisë, me vlefshmëri pesëvjeçare.
Protokolli është nënshkruar në kuadër të projektit “Urat e Vëllazërisë”, bashkëpunim ballkanik në shëndetësi dhe trajnim gjatë punës, të cilin Universiteti Trakia e zbaton me mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Turqisë. Maqedonia është vendi i tretë i përfshirë në projekt, pas Kosovës dhe Bullgarisë.
Bashkëpunimi parashikon: qëndrime profesionale dhe trajnim praktik të punonjësve shëndetësorë maqedonas në Fakultetin e Mjekësisë dhe në Spitalin Universitar në Edrene; shkëmbim të njohurive dhe përvojës klinike ndërmjet ekipeve profesionale; hulumtime të përbashkëta shkencore dhe aktivitete profesionale; si dhe bashkëpunim institucional që, përveç mjekësisë, përfshin edhe stomatologjinë, farmacinë dhe shkencat shëndetësore.
Protokolli është vazhdim i memorandumit të mirëkuptimit në fushën e shëndetësisë që ministri Klekovski e nënshkroi me ministrin e Shëndetësisë të Republikës së Turqisë, Kemal Memishoglu, në tetor të këtij viti në Stamboll, ku shkëmbimi profesional dhe edukimi specialistik u përcaktuan si fusha prioritare.
Në delegacionin e Universitetit Trakia ishin edhe prorektori dhe dekani i Fakultetit të Mjekësisë, prof. dr. Sedat Ustundag, dekani i Fakultetit të Stomatologjisë, prof. dr. Ali Yilmaz, si dhe drejtori i Spitalit Universitar, prof. dr. Alkin Çolak.
“Marrëveshjet vlejnë aq sa përfiton prej tyre një pacient. Me këtë protokoll, punonjësit tanë shëndetësorë fitojnë një vend ku do të përsosen profesionalisht, ndërsa njohuritë që do të sjellin mbeten këtu”, deklaroi ministri Sasho Klekovski.

