Shkup, 18 qershor, Zhurnal.mk – Rritja e dhunës në familje ecën paralelisht me shtimin e incidenteve mes nxënësve, ndërsa fëmijët që çdo ditë janë dëshmitarë të agresionit në shtëpi, gjithnjë e më shpesh e bartin atë edhe në bankat shkollore. Këto tregues alarmues i bashkuan institucionet në një nismë të re, që synon njohjen e hershme dhe parandalimin e dhunës para se ajo të eskalojë në agresion mes bashkëmoshatarëve, shkruan Vecer, transmeton Zhurnal.
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, në promovimin e projektit “Ndërprerja e ciklit të dhunës – parandalim sistemik i dhunës familjare dhe asaj mes bashkëmoshatarëve përmes sistemit arsimor”, vlerësoi se dhuna mes bashkëmoshatarëve nuk lind në shkollë, por rrënjët i ka kryesisht në mjedisin familjar.
“Fëmijët nuk bëhen agresivë në shkollë, por zakonisht vijnë agresivë nga shtëpia. Do të punojmë për krijimin e një mekanizmi të qëndrueshëm për njohjen e hershme, parandalimin dhe trajtimin e duhur të dhunës familjare ndaj fëmijëve ose të neglizhimit të tyre, përmes lidhjes së sistemit arsimor, institucioneve dhe familjeve në një rrjet të përbashkët mbrojtjeje dhe mbështetjeje”, deklaroi Janevska.
Ajo njoftoi se nga java e ardhshme do të fillojnë trajnimet për psikologët, pedagogët dhe punonjësit socialë në arsimin fillor, me qëllim që në kohë të identifikojnë fëmijët viktima të dhunës familjare përmes sjelljes së tyre dhe të ndërmarrin masa të përshtatshme. Paralelisht do të organizohen diskutime me mësuesit, prindërit dhe nxënësit, ndërsa mbi bazën e përvojave dhe rekomandimeve të marra do të hartohet një protokoll i unifikuar për veprim në rast dyshimi për dhunë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, paralajmëroi se shifrat me të cilat disponon MPB tregojnë një trend shqetësues.
“Në të njëjtën periudhë kur rritet dhuna familjare, rritet edhe dhuna mes nxënësve. Nuk mund të themi me siguri se çdo rast i veçantë është i lidhur, por ekspozimi ndaj dhunës në shtëpi është një nga faktorët më të fortë të rrezikut për agresionin e mëvonshëm”, tha Toshkovski.
Që nga fillimi i vitit, mesatarisht regjistrohen tre incidente shkollore në javë.
Nga 1 janari deri më 28 maj të këtij viti janë regjistruar 768 vepra penale të lidhura me dhunën familjare, që është 67 për qind më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur ishin evidentuar 460 raste. Vetëm në dy javët e para të qershorit janë regjistruar edhe 89 vepra të reja penale.
Këtë vit janë regjistruar 93 incidente në 64 shkolla, ndërsa veçanërisht shqetësues është fakti se dhuna ndaj fëmijëve është më shumë se dyfishuar. Në të njëjtën periudhë janë evidentuar edhe gjashtë raste përdhunimi të një fëmije nën moshën 15 vjeç, kundrejt një rasti vitin e kaluar.
MPB njoftoi se nga viti i ardhshëm shkollor, brenda dhe jashtë shkollave do të vendosen oficerë kontakti, të cilët do të zhvillojnë takime të rregullta me këshillat e nxënësve, do të mbajnë aktivitete edukative për dhunën mes bashkëmoshatarëve dhe atë online, si dhe punëtori për bullizmin kibernetik dhe përdorimin e sigurt të internetit.
Ministri i Politikës Sociale, Fatmir Limani, theksoi se dhuna mes bashkëmoshatarëve nuk është problem i izoluar, por pasojë e marrëdhënieve të dëmtuara familjare, mungesës së mbështetjes emocionale dhe ndikimeve negative nga hapësira digjitale.
“Duhet të veprojmë shumë më herët – në familje, në çerdhe, në shkollë, në komunitetin lokal dhe në mjedisin digjital. Vizionin tonë e kemi të qartë – shkolla pa frikë dhe një shoqëri ku dhunës nuk i takon vendi”, theksoi Limani.
Nga Dhoma e Psikologëve paralajmërojnë se fëmija agresiv shpesh është fëmijë që ka mësuar se dhuna është mënyra e vetme për të shprehur dhimbjen e tij.
“Nëse trajtojmë vetëm pasojën, e jo edhe shkakun, rrezikojmë që cikli i dhunës të vazhdojë edhe te gjeneratat e ardhshme”, tha psikologia Emilija Boshkovska.
Institucionet janë të njëzëshme se ndëshkimet dhe reagimi penal janë të domosdoshme, por se zgjidhja afatgjatë qëndron te parandalimi i hershëm dhe te një sistem që arrin ta njohë fëmijën para se trauma e tij të shndërrohet në dhunë.
