Qendra Kombëtare e të Dhënave pritet të nisë të ndërtohet në vitin 2027, Qeveria kërkon investitorë

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 3 nëntor, Zhurnal.mk – Ndërtimi i Qendrës Kombëtare të të Dhënave (Data Center) mund të fillojë në vitin 2027, pasi të përfundojnë përgatitjet dhe të sigurohen mjetet e nevojshme financiare. Studimi i fizibilitetit për projektin tashmë është përgatitur, ndërsa Qeveria aktualisht po kërkon partnerë të interesuar për financimin dhe realizimin e tij.

Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, informoi se paralelisht po punohet në urbanizimin e lokacionit dhe përgatitjen e dokumentacionit projektues. Ai pret që këto aktivitete të përfundojnë deri në pranverë, pas së cilës do të krijohen kushtet për fazën e ardhshme të projektit.

Andonovski zbuloi se interes për investime në infrastrukturën e të dhënave po tregojnë edhe kompani nga sektori privat. Gjatë kësaj jave janë planifikuar bisedime me dy deri në tre kompani që po shqyrtojnë mundësitë për investim në ndërtimin e qendrave të reja të të dhënave, por edhe në zgjerimin e kapaciteteve tashmë ekzistuese.

Ministri shpreson se përmes bashkëpunimit me investitorë vendorë dhe të huaj do të arrijnë të sigurojnë investime në këtë fushë.

Andonovski iu referua edhe ndërprerjes së javës së kaluar të shërbimeve të Fondit për Sigurim Pensional dhe Invalidor. Ai sqaroi se nuk kanë qenë të komprometuara sistemet e brendshme të Fondit, por problemi kishte të bënte me aplikacionin ueb, për shkak të të cilit qytetarët përkohësisht kanë pasur qasje të vështirësuar në shërbimet elektronike.

Këto deklarata ministri i dha në hapjen e Konferencës së Nëntë Rajonale për Tregti Elektronike në Shkup.

artikuj të ndërlidhura