Prishtinë, 27 maj, Zhurnal.mk – Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka mbajtur sot mbledhje elektronike, në të cilën ka marrë disa vendime që lidhen me mbështetjen e mërgatës, promovimin e Kosovës në gara ndërkombëtare dhe funksionalizimin e institucioneve.
Në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, Qeveria ka ndarë 2 milionë euro për zbatimin e Masës 4.5 “Mbështetja e Mërgatës”, me qëllim të subvencionimit të linjave ajrore për destinacionet që shërbejnë mërgatën kosovare.
Po ashtu, janë ndarë mjete buxhetore edhe për disa organizata dhe iniciativa që do ta përfaqësojnë Kosovën në gara ndërkombëtare.
Për Shoqatën e Matematikanëve të Kosovës janë ndarë 8 mijë euro për pjesëmarrjen në Olimpiadën e 67-të të Matematikës 2026, e cila do të mbahet më 21 korrik në Shangai të Kinës.
Ndërkaq, për subjektin “Kosova Global Talent Center” janë ndarë 70 mijë e 876 euro e 79 cent për pjesëmarrjen e 26 nxënësve në finalen e NEO Science Olympiad, që do të mbahet në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë muajit korrik 2026.
Gjithashtu, Shoqata e Kimistëve të Kosovës do të përkrahet me 3 mijë e 500 euro për pjesëmarrjen në Olimpiadën Ndërkombëtare të Kimisë 2026, e cila do të mbahet nga 10 deri më 19 korrik në Tashkent të Uzbekistanit.
Në këtë mbledhje elektronike, Qeveria në detyrë ka aprovuar edhe listën e anëtarëve potencialë të Komisionit të Pranimit për Ministrinë e Punëve të Brendshme.
