Qeveria ndan 3 milionë euro për t’ia mbuluar sigurimin kufitar mërgatës

Nga D. V.
774 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 24 qershor, Zhurnal.mk – Qeveria në detyrë ka miratuar propozim-vendimin për ndarjen e 3 milionë eurove për mbulimin e policës kufitare, përkatësisht Kartonit të Gjelbër, për mërgimtarët që vijnë në Kosovë gjatë sezonit veror, raporton Ekonomia Online.

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, tha se mjetet do të shërbejnë për zbatimin e masës për mbështetjen e mërgatës nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike, duke filluar nga muaji korrik e tutje.

“Duke filluar nga muaji korrik e tutje, ne si qeveri ndajmë mjetet për të mbuluar policën kufitare apo atë siç quhet Kartoni i Gjelbër për mërgatën tonë, të cilët hyjnë me vetura në vizitë apo për qëndrim në Kosovë përgjatë kësaj periudhe. Prandaj, si e tillë, propozim-vendimi parasheh ndarjen e mjeteve buxhetore në shumën prej 3 milionë euro, për zbatimin e masës 4.5, mbështetja e mërgatës nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike”, tha ai.

Në mbledhjen e Qeverisë, janë miratuar edhe 13 pika të rendit të ditës, përfshi shqyrtimin e nismës për lidhjen e Marrëveshjes së Grantit për projektin e qasjes gjithëpërfshirëse të Kosovës për Forcimin e Sistemit Shëndetësor, e edhe ndarje buxhetore për financimin e disa projekteve kapitale në jug të Mitrovicës, Shtime, Pejë dhe Podujevë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër