Raporti i Janevskësn në MASH: Realizuam reforma të shumta, po e ngremë cilësinë e arsimit

Nga D. V.
746 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 24 qershor, Zhurnal.mk – Arsimi dhe shkenca janë shtyllë e zhvillimit dhe prandaj mbetemi të përkushtuar ndaj reformave që do të sigurojnë mundësi më të mira për të rinjtë dhe një shtet më konkurrues – deklaroi sot ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, në konferencën për shtyp në Qeveri, ku prezantoi raportin për punën e realizuar gjatë dy viteve të fundit.

Sipas Janevskës, është punuar me përkushtim dhe përgjegjësi për përmirësimin e arsimit dhe shkencës, përmes reformave të shumta të drejtuara në përmirësimin e kushteve dhe mundësive për nxënësit, studentët, mësuesit dhe komunitetin shkencor.

“Para dy viteve gjetëm një kataklizëm. Ndaluam rënien e mëtejshme dhe me punë të përgjegjshme e të përkushtuar tashmë po e ngremë cilësinë e arsimit dhe po e gjallërojmë shkencën,” vlerësoi ministrja Janevska.

Ajo theksoi se është siguruar mbështetje sistemike për nxënësit e talentuar dhe se janë mbuluar plotësisht shpenzimet e udhëtimit dhe kotizimit për pjesëmarrje në olimpiada ndërkombëtare. Në proces është hartimi i një koncepti për identifikimin dhe punën me nxënës të talentuar dhe të dhuruar.

Janë avancuar arsimi profesional dhe ai dual, ku janë përfshirë 1000 kompani dhe janë formuar shtatë qendra rajonale për arsim profesional dhe trajnim, ndërsa së shpejti do të hapet edhe e teta.

Në arsimin fillor dhe të mesëm është futur këshillimi për karrierë, që u lehtëson nxënësve zgjedhjen e rrugës së mëtejshme të zhvillimit personal. Këto janë pjesë e objektivave të Agjendës Reformuese të realizuara me sukses, për të cilat ministria pritet të marrë mbi 19 milionë euro nga BE.

Janevska informoi se është rritur numri i bursave për arsimin dual, me 1570 të ofruara në konkursin e fundit, si dhe është vendosur sistem i qëndrueshëm për furnizimin dhe shpërndarjen me kohë të teksteve shkollore. Për të tretin vit radhazi, të gjithë nxënësit do t’i marrin tekstet më 1 shtator, përfshirë edhe ato të gjuhëve të huaja që mungonin prej vitesh.

Mbështetja për nxënësit me nevoja të veçanta është rritur ndjeshëm: janë angazhuar 1.350 asistentë arsimorë në shkollat fillore dhe për herë të parë 150 në shkollat e mesme. Është mundësuar edhe arsim në format hibrid për nxënësit që ndjekin trajtim të gjatë spitalor ose në shtëpi, si dhe është forcuar mbështetja për arsimin e komuniteteve më të vogla.

Në lidhje me standardin studentor, Janevska theksoi se janë pranuar disa kërkesa të studentëve, si zgjerimi i përfituesve të ushqimit të subvencionuar për postdiplomantët dhe studentët e punësuar, lehtësimi i kushteve për bursa dhe futja e kategorive të reja bursash.

“I lehtësuam kriteret për disa kategori bursash, për shembull për programet e studimit për kuadër mësimor. Për të mbështetur të rinjtë që duan të ndjekin rrugën e shkencës dhe për t’i mbajtur këtu, ndryshuam kushtet për bursat në 100 universitetet më të mira botërore. Për bursat e studimeve postdiplomike lejuam aplikimin edhe me studime trevjeçare. Nga tetori po fusim bursa të reja për studentë me sëmundje të rralla dhe nevoja të veçanta,” tha Janevska.

Ligji i ri për arsimin e lartë, sipas saj, parashikon që studentët më të mirë të çdo gjenerate, fituesit e “Unazës inxhinierike” dhe të tjerë me mirënjohje shtetërore, të kenë përparësi në punësim në institucionet publike të arsimit të lartë dhe shkencës.

Në infrastrukturën arsimore janë investuar rreth 70 milionë euro për mbi 90 projekte: janë ndërtuar ose janë në ndërtim dhjetë objekte të reja shkollore dhe katër salla sportive, janë rinovuar rreth 30 objekte shkollore, ndërsa konviktet studentore “Stiv Naumov” dhe “Kuzman Josifovski Pitu” do të hapen për studentët nga tetori.

Është zhbllokuar ndërtimi i objektit të FINKI-t në oborrin e UKIM-it, i bllokuar për shtatë vite, si dhe është nisur procedura për ndërtimin e një objekti të veçantë për Fakultetin e Kulturës Fizike, Sportit dhe Shëndetit. Në 160 shkolla është instaluar pajisje e re IT dhe qasje e sigurt në internet, ndërsa inteligjenca artificiale ka hyrë në shkolla dhe mbi 1.000 mësues janë trajnuar për përdorimin e saj.

Ministrja u ndal edhe te optimizimi i rrjetit shkollor dhe puna me një turn në mbi 200 shkolla.

“Jam e vetëdijshme se ka reagime për optimizimin, por të përsëris – askush nuk do të mbetet pa punë, edhe pse në 7 vitet e fundit kemi 17 mijë nxënës më pak dhe raporti mësues–nxënës është ulur,” tha Janevska.

Ajo shtoi se është siguruar stabilitet ekonomik afatgjatë për mësuesit, me marrëveshje me SASHK për rritje të garantuar të pagave në periudhë katërvjeçare nga 40 deri në 60 për qind, varësisht nga inflacioni. Në dy vitet e para pagat janë rritur me 20 për qind, ndërsa më parë kjo bëhej vetëm para zgjedhjeve dhe gjithmonë më pak se rritja e inflacionit.

Ka filluar edhe avancimi i karrierës së mësuesve dhe bashkëpunëtorëve profesionalë në arsimin fillor, ndërsa për herë të parë këtë vit edhe në arsimin e mesëm. Me ditarin elektronik mësuesit janë liruar nga shumë detyrime administrative dhe janë mbrojtur nga presionet për ndryshimin e notave. Ka nisur edhe futja graduale e dëftesave elektronike, këtë vit nga klasa e parë deri në të tretën.

Në arsimin e lartë dhe shkencë, buxheti për universitetet është rritur nga 3 miliardë denarë në vitin 2022 në 8 miliardë në vitin 2026, ndërsa buxheti për shkencën nga 380 në 773 milionë denarë. Në vitin 2025 janë ndarë mbi 370 milionë denarë për projekte kërkimore-shkencore dhe është siguruar qasje falas në bazat Web of Science dhe Scopus.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër